Lopa i mori jetën fëmijës 11-vjeçar
Pasditen e 3 qershorit, një fëmijë 11-vjeçar, nxënës i klasës së katërt nga fshati Fshat i Kukësit, humbi jetën në mënyrë tragjike, pasi lopa që po kulloste e mori zvarrë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Burime të policisë thanë se Ndriçim Karanxha, 11 vjeç, kishte lidhur pas dorës litarin e lopës që po kulloste, e cila ka vrapuar duke e tërhequr për dhjetëra metra zvarrë. Fëmija e ka pasur të pamundur të ndalojë vrapin e kafshës, derisa ajo ka ndaluar vetë. Të njëjtat burime bënë me dije se pas ndalimit të vrapimit të harbuar të kafshës, u vërejt se fëmija kishte humbur jetën nga plagët e mëdha në trup. Fshati ku ndodhi ngjarja e rëndë është një ndër fshatrat më të thellë të Kukësit, ku fëmijët pas mësimit merren me kullotjen e bagëtive.
#