E denoncon e dashura 14 vjeçe, arrestohet i riu
Arrestohet një 19-vjeçar nga fshatrat e Shijakut, i cili prej muajsh kryente marrëdhënie seksuale me një të mitur. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se 14-vjeçarja është paraqitur vetë në polici për t’i dhënë fund abuzimit seksual me të, ndërsa shërbimet policore kanë bërë arrestimin në flagrancë të Fundim Smoqit nga fshati Pjezë i Shijakut. Në bazë të kallëzimit penal të bërë në polici nga 14-vjeçarja, e cila është nxënëse e një shkolle nëntëvjeçare, rezulton se prej disa muajsh ajo ka pasur lidhje intime me këtë shtetas. Duke përfituar nga mosha e vogël e saj, ai ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë me të dëmtuarën. I riu akuzohet për veprën penale të marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur. Një ditë më parë u ndalua dhe një tjetër moshatar i tij për të njëjtën vepër penale, ndonëse marrëdhëniet ishin kryer me dëshirën e së miturës 12-vjeçare, e cila për dashurinë u largua dhe nga banesa.
#