E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti i Helsinkit: “Situata e krijuar, e papajtueshme, respektoni vullnetin e popullit”



Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar dje për situatën paszgjedhore në Shqipëri, duke e cilësuar atë të papajtueshme. Nëpërmjet një deklarate për shtyp KSHH u kërkon forcave politike që të respektojnë vullnetin e popullit dhe të ndikojnë në çtensionimin e situatës, pasi rrezikon të cenohen standardet ndërkombëtare. “Kjo situatë është e papajtueshme me të drejtën për të votuar dhe respektimin e vullnetit të popullit, përmbushja e të cilëve përbën standardet themelore për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri”, - shkruhet në deklaratën e KSHH-së. Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim për situatën paszgjedhore, duke iu referuar kryesisht procesit të numërimit të votave në disa qarqe të vendit, e kryesisht në Fier. Komiteti Shqiptar i Helsinkit u kërkon subjekteve dhe organeve zgjedhore të respektojnë ligjin me përgjegjshmëri të plotë. “Veçanërisht, një rol i rëndësishëm i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili duhet të realizojë të gjitha detyrat e tij për administrimin e këtij procesi deri në fund, me objektivitet dhe besueshmëri. I gjithë procesi duhet të mbyllet me shpejtësinë, korrektësinë dhe dinjitetin që votuesi shqiptar meriton”, - thekson KSHH-ja.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›