E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici kujdes! Sinjali u dha dje



Dje policia mori një mësim teksa përkrahës të PD-së provokuan ata të PS-së, e ato pak minuta për pak sa nuk e kthyen gjithçka mbrapsht, gjë që do ta kishte shumëzuar me zero procesin e vështirë zgjedhor. Nuk kanë shumë rëndësi rrethanat në të cilat ndodhi incidenti, por mesazhi ishte fare i qartë për Policinë e Shtetit, që ajo të jetë më vigjilente kur situata sa vinte e bëhej më e vështirë në Fier, me përplasje deklaratash apo qëndrime të pakujdesshme, dhe më pas një shkëndijë u dha edhe në Tiranë. Uniformat blu e dinë më mirë se kushdo tjetër se agravimi i situatës, nëse merrte përmasa, do të ishte me pasoja të rënda, përvoja të hidhura këto që i kemi kaluar disa herë në vitet që lamë pas, vështirë se do të menaxhohej, kontrollohej në pikun e saj. Edhe pse Policia e Shtetit arriti ta ndalonte zhvillimin e mëtejshëm të incidentit fare pranë selisë së PS-së, kjo nuk e justifikon shurdhërinë e saj ndaj borive që binin në fillim larg e pastaj bëheshin më të forta në sheshin “Skënderbej”.
Nga periferitë e deri në qendër, përkrahës të PD-së kanë kaluar me makina përpara syve të policëve rrugorë, e ata duhet të kishin njoftuar eprorët e tyre për atë që po ndodhte, që masat të merreshin në kohë për ndalimin e grumbullimit në shesh, pasi përveçse vështirësive që krijonte në trafik, “tubimi” ishte i paligjshëm. Nga ana tjetër, duke parë morinë e makinave me targa të huaja, apo pa targa, policia e Qarkullimit Rrugor nuk e pa të arsyeshme të bënte kontroll dokumentacioni, por edhe nëse ishin në rregull me të, t’u sugjeronte atyre të mos u binin borive në atë orë të vonë të mbrëmjes, kur edhe me ligj ndalohet përdorimi i sinjalistikës akustike në qendrat e banuara, pasi as më shumë e as më pak është prishje e qetësisë publike. Gjithsesi, përkrahësit kanë kaluar po as më të voglin shqetësim, pasi kishin flamurin e PD-së dhe “fjalëkalimin”: “Rroftë Sali Berisha”. Edhe kur kanë mbërritur në shesh furgonët me policë bënë rrethrrotullimin dhe morën në ruajtje selinë e PS-së, krijuan një kordon të gjatë bllokues për lëvizjen e mjeteve, gjë që duhet të ishte realizuar përpara se të ndodhte incidenti. Ndaj kujdes se jemi mësuar, që jo rrallë, ta prishim sa hap e mbyll sytë atë që me mund kemi ngritur e daullet më shumë se për këdo bien për veshët e Policisë së Shtetit.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›