E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot shpallen rezultatet, KQZ-ja numëron kutitë e qendrave të bllokuara

Në orën 09:00 nis në KQZ procesi i numërimit të 6 qendrave të Fushë-Kuqes. Vetëm 16 KZAZ i kanë dorëzuar rezultatet, pritet mbyllja edhe për 49 të tjera

Pas katër ditësh bllokimi është arritur kompromisi për të numëruar kutitë e votimit të zonave që kanë pasur probleme, proces ky që do të bëhet në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në orët e vona të mbrëmjes u zhvillua mbledhja e katërt brenda ditës, ku në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e Komisionit ranë dakord që të përfundojnë proceset e numërimit në të gjitha zonat problematike. Rreth orës 19:00 KQZ-ja vendosi për 6 qendrat e votimeve të Fushë-Kuqes, të cilat po mbajnë peng prej më shumë se 48 orësh rezultatin përmbyllës të qarkut të Lezhës. Pak më vonë u miratua e njëjta procedurë për zonat e mbetura me numër 18, 19 dhe 22 në qarkun e Fierit. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Arben Ristani, bëri të ditur se deri në orët e mbrëmjes kanë mbërritur rezultatet dhe dokumentacioni për 16 nga 66 komisionet zonale të administrimit zgjedhor. Sipas tij, edhe zonat e tjera janë në përmbyllje të procesit. Në këtë mënyrë, deri pasditen e së premtes mund të ketë një rezultat zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit, i cili mund të lërë këto numra mandatesh, ose mund t’i ndryshojë ato.
Numërimi në Laç
Sot në orën 9:00 të mëngjesit nis procesi i numërimit të 6 qendrave të zonës së Fushë-Kuqes, të cilat kanë bllokuar për më shumë se 48 orë rezultatet e qarkut të Lezhës. Pas disa mbledhjesh radhazi, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, duket se është arritur kompromisi mes palëve. Anëtarët e KQZ-së do të numërojnë fletët e votimit të 6 qendrave në zyrën qendrore. Përfaqësuesi ligjor i PS-së ka kërkuar që të vendoset edhe teknologjia e kamerave të vëzhgimit brenda në sallë dhe të jenë të pranishëm vëzhguesit e partive politike. Rezultatet që do të dalin do t’u bashkëngjiten të dhënave të tjera të mbledhura në KZAZ-në Nr. 39 të qarkut të Lezhës. Numërimi i 6 qendrave të Fushë-Kuqes bëhet pas pretendimit të koalicionit “Aleanca e ndryshimit, e cila ka deklaruar se ka marrë 5 mandate në qarkun e Lezhës, ku njëri prej tyre i përket Partisë Agrare Ambientaliste. Deri tani janë deklaruar të sigurta katër mandate për koalicionin e djathtë dhe tre të majtë.
Procesi tek të tjerat
Arritja e kompromisit për numërimin e qendrave të Fushës-Kuqes duket se do të shërbejë si model edhe për qendrat e tjera, për të cilat ka pasur mosmarrëveshje në KZAZ. Dje zyrtarisht ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Bushat, por dy prej kutive do të numërohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për to janë dërguar edhe procesverbalet në kryeqytet. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kutitë e dërguara në Tiranë kanë qenë të hapura lart dhe komisioni në Bushat nuk ka pranuar që t’i marrë në dorëzim. Sipas rezultateve paraprake rezultoi se PD-ja ka marrë 10 732 vota në zonën e Bushatit dhe PS-ja 7470 vota. Po mbrëmë vonë KQZ-ja vendosi që të numërojë edhe kutitë e votimit të KZAZ-ve me numër 18, 19 dhe 22, të cilat i përkasin qarkut të Fierit, përkatësisht qytetit të Fierit, të Patosit dhe Krutjes së Lushnjës. Janë gjithsej shtatë kuti me fletë votimi që do të numërohen në KQZ me të njëjtën procedurë si dhe në rastin e Fushë-Kuqes. Këto do të shënojnë edhe mbylljen e procesit të numërimit, prej nga ku do të dalë edhe fituesi.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›