Kosovë, Kuvendi miraton Rezolutën kundër zgjedhjeve serbe
Zgjedhjet serbe në Kosovë nuk do të lejohen zyrtarisht. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Rezolutë e cila do të kundërshtojë në mënyrë absolute zgjedhjet serbe. Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë dje vendimin që në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare të harmonizojë një tekst për nxjerrjen e një rezolute para legjislativit që do të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Rezoluta është miratuar në seancën e djeshme të Kuvendit dhe ky hap u ndërmor në prag të zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 11 maj dhe qeveria serbe është shprehur se do t’i zhvillojë aty edhe në territorin kosovar ku banojnë pakica serbe. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker kanë theksuar qartë se zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në Kosovë janë “absolutisht jolegjitime dhe të papranueshme”. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, ndaj nuk mund të jetë zonë zgjedhore për askënd”,- u shpreh Sejdiu duke ripërsëritur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim ndërshtetëror dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, në të mirë të paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Europës Juglindore. Gjithashtu, Sejdiu dhe Ryker gjatë një takimi pohuan zotimin e dyanshëm për bashkërendimin e plotë edhe përsa i përket procesit të tranzicionit dhe transferimit të kompetencave tek institucionet e Kosovës. Ndërkohë përfaqësuesi i KFOR-it ka deklaruar se ky mision nuk do t’i mbështesë por as nuk do t’u kundërvihet zgjedhjeve. “Misioni i KFOR-it do të jetë i përkushtuar në ruajtjen e një ambientit të qetë dhe të qëndrueshëm, ndërsa nuk do të mbështesë dhe nuk do të përkrahë zgjedhjet lokale serbe që janë paralajmëruar të mbahen më 11 maj në Kosovë”, - tha Komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes, gjenerali amerikan Xhon Davoren. “Ashtu siç është deklaruar edhe administrata e UNMIK-ut për këto zgjedhje edhe KFOR-i nuk do të ketë ndonjë angazhim të veçantë apo të jetë përkushtuar për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por do të jetë i gatshëm të kryejë misionin në favor të ruajtjes së situatës të qëndrueshme”, - u shpreh Davoren.
Firmoset marrëveshja Serbi-BE, Koshtunica kundër
Bashkimi Europian firmosi dje në Luksemburg Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me Serbinë. Kjo marrëveshje u firmos nga ministri i jashtëm slloven, Dimitri Rupel, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së Bashkimit Europian dhe zëvendëskryeministri i Serbisë Bozidar Djeliç. Në ceremoninë e firmosjes i pranishëm ishte edhe presidenti serb Boris Tadiç dhe ministri i jashtëm Vuk Jeremiç. Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi në një tjetër moment, për faktin se Holanda dhe Belgjika ndonëse ranë dakord që Serbia ta firmosë MSA-në, nuk kanë hequr dorë që Beogradi të përmbushë detyrat e tij për të dorëzuar në Gjykatën e Hagës kriminelët e luftës së ish-Jugosllavisë. Firmosja e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit mes Serbisë dhe BE-së, procedurë që duhej të ishte kryer që në nëntorin e vitit të kaluar, vjen pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme që zhvillohen në Serbi. Kjo ka ndodhur edhe për të mbështetur forcat pro europiane që të fitojnë në zgjedhjet e 11 majit. Pas këtij veprimi, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica deklaroi se parlamenti serb do ta anulojë marrëveshjen për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Qeveria dhe parlamenti i ri i Serbisë menjëherë do ta anulojnë nënshkrimin ilegal”,-u shpreh Koshtunica. “Ne asnjëherë nuk do të lejojmë askënd që të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës në emër të Serbisë, prandaj ky nënshkrim është i pavlerë”,-Koshtunica.
Shtypi grek: “Nimiç do të propozojë Maqedonia e Re”
Bisedimet për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë janë zhvendosur në Nju Jork. Gazeta greke “To Vima” shkruan se ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç planifikon përgatitjen e një propozimi të ri për emrin e Maqedonisë, që do të jetë një kompromis midis Shkupit dhe Athinës. Siç shkruan gazeta greke, plani i Nimiçit është i pranueshëm për Athinën dhe se diplomati amerikan po përgatit si propozim emrin “Maqedonia e Re”, i cili është i pranueshëm edhe brenda radhëve të Bashkimit Europian. Greqia kërkon një emër me përmbajtje gjeografike dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje në rast të zgjidhjes nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “To Vima” shkruan se emri “Maqedonia e Re” ka gjetur mbështetje tek Qeveria greke dhe administrata amerikane. Gazeta ka cituar burime te larta shtetërore në Shkup, të cilat bëjnë të ditur se kreu shtetëror i Maqedonisë nuk pajtohet me propozimin “Maqedonia e Re”, si një variant i pranueshëm për çështjen e emrit. Negociatat për mosmarrëveshjen me Greqinë lidhur me emrin janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Nju-Jork, me takime të veçanta të negociatorit maqedonas, Nikolla Dimitrov me ndërmjetësin për këtë çështje Metju Nimiç. Bisedimet Dimitrov - Nimiç do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Në varësi të rezultateve nga konsultimet më të reja, sipas njoftimeve në Shkup dhe në Athinë, ndërmjetësi Nimiç duhet të përgatisë një kornizë të re, në të cilën do të vazhdojnë më tej negociatat dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm, që do të çojnë në zgjidhjen e problemit.
EULEX, vendoset në Kosovë në tetor
Misioni i Bashkimit Europian, EULEX, është parashikuar që të vendoset në Kosovë në muajin gusht. Por sipas BBC-së, koha më reale për zbarkimin e këtij misioni pritet të jetë tetori.
Në një intervistë dhënë kësaj agjencie të lajmeve, shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, ka theksuar se ndarjet e thella brenda bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës kanë rritur konfuzionin lidhur me vendosjen e misionit në Kosovë. Kur kushtetuta të hyjë në fuqi “ka mundësi që ne do të jemi në një situatë ku mandati ynë nuk mund të zbatohet më tutje”,-ka thënë Ryker. Disa skenarë janë duke u marrë parasysh. Më radikali do të mund të jetë fragmentimi i misionit të BE-së dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila do t’i lërë sërish përgjegjësitë Kombeve të Bashkuara. Ndërsa skenari tjetër do të jetë zbarkimi i misionit të BE-së vetëm në vendet ku banojnë shqiptarët e Kosovës, duke e lënë UNMIK-un të operojë aty ku jetojnë dhe veprojnë strukturat paralele serbe.
Zgjedhjet, Gruevski e Thaçi në krye të sondazheve
Vetëm një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, sondazhet favorizojnë kryeministrin Nikolla Gruevski mes maqedonasve si dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi në elektoratin shqiptar. Sondazhi është kryer nga Instituti Ndërkombëtar për studime Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme IFIMES me qendër në Lubjanë, në bazë të rezultateve nga një anketë telefonike me 2.088 të anketuar. Tek partitë shqiptare, për kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi janë deklaruar 14,4 për qind, ndërsa për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti 12,3 për qind. Tek politikanët maqedonas, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski udhëheq me 44,2 për qind përballë kandidatëve të tjerë Radmilla Sheqerinska e LSDM-së me 17,6 për qind, Tito Petkovski i PRSD-së me 8,9 për qind. Sondazhi tregon gjithashtu se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot në Maqedoni, në krye të listës së fituesve do të ishte VMRO-DPMNE do të fitonte 31, 3 për qind kundrejt partisë rivale maqedonase, LSDM, me 19 për qind të votave. Në njësinë më të madhe të trupit votues shqiptare, anketuesit janë deklaruar në favor të PDSH-së me 40, 10 për qind, derisa për BDI-në 31.15 për qind.
30 Prill 2008