Presidenti Topi nuk dekreton ndryshimet në ligjin për legalizimet
Erald Kapri
Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka dekretuar kthimin mbrapsht të ndryshimeve në ligjin e legalizimeve të ndërtimeve informale, të cilat u miratuan dy javë më parë në Kuvend me një numër minimal deputetësh, prej 50 votash. Dekreti i presidentit, i cili u shpall ditën e djeshme, nuk përmban një shpjegim se pse presidenti Topi refuzoi firmosjen e ndryshimeve në ligjin e legalizimeve. Ky refuzim është i pari në llojin e vet gjatë 10 muajve në detyrën e presidentit. Kreu i shtetit, Topi, duket se i është përmbajtur integritetit të tij politik të shprehur publikisht në Parlament, por edhe në media. Ish-nënkryetar i Partisë Demokratike dhe ish-kreu i Grupit të saj Parlamentar, Bamir Topi ka abstenuar ligjin e legalizimeve si deputet i maxhorancës. Njëkohësisht, si President i Republikës, Topi ka respektuar të njëjtin integritet duke mos firmosur ligjin e debatuar. Ndërkohë, aleatët e PD-së në qeverisje, republikanët, kanë respektuar vendimin e Topit. Kreu i Grupi Parlamentar Republikan, Arian Madhi, u shpreh se këto ndryshime shkelin parimet e Kushtetutës. Madhi u shpreh optimist se Partia Demokratike do të reflektojë që pas dekretit të presidentit të mos miratojë ndryshmet në ligjin e legalizimeve. “Vlerësoj pozitivisht kthimin në Kuvend të ligjit nga presidenti, duke theksuar qëndrimin kundër të republikanëve për këtë ligj. Ndryshimet e propozuara në këtë ligj në tërësi binin ndesh me standardet dhe konceptet kushtetuese për garantimin e së drejtës së pronës, pra të shpërblimit të pronarëve për të gjitha trojet që i shpronësoheshin, lidhur me nevojat e formalizimit të ndërtimeve të paligjshme”, - tha Madhi.
Dekreti
Dekreti i presidentit, i cili mban numrin 5687, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë rishqyrtimin e ndryshimeve në ligjin për legalizimin dhe formalizmin e ndërtimeve informale në vend. Ndryshimet në fjalë janë kundërshtuar ashpër nga opozita, por edhe nga shumë deputetë të maxhorancës. Ditën e votimin ndryshimet morën një votë minimale në Kuvend, ku vetëm 50 deputetë votuan pro tij, ndonëse është një ligj i rëndësishëm. Deputetët e opozitës i kanë kundërshtuar ashpër këto ndryshime. Sipas tyre, me ndryshimet e reja anashkalohet Pushteti Lokal si dhe i jep një fuqi ekzekutive një agjencie qeveritare. Opozitarët, të bashkuar në këtë pikë, e kanë cilësuar si të papranueshme që një autoritet ekzekutiv të japë tituj pronësie si Agjencia e Legalizimeve. Gjatë seancës plenare, ku u diskutuan ndryshimet, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka mbrojtur ndryshimet duke u shprehur se do të lehtësohet procesi i legalizimit të ndërtimeve informale. “Procesi i deritanishëm ka sjellë nevojën e ndërhyrjes së ALUIZNI-it për realizimin me sukses dhe në përputhje me afatet ligjore e kohore të procedurave, si identifikimin në terren të objekteve informale, përcaktimin e vijave të verdha, hartimin e dokumentacionit ligjor e hartografik të zonave etj.”, - është shprehur Olldashi. Nga ana tjetër, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, u shpreh se projektligji i kalon kompetencat që ka pushteti vendor në procesin e legalizimit ALUIZNI, duke shkelur parimin e decentralizimit. Gjatë një interviste për gazetën “Albania” një javë më parë, nëndrejtori i ALUZINI-t, Ferdinand Shehu, tha se këto ndryshime do t’i hapin rrugën përshpejtimit të procesit. Ai garantoi se dhënia e titujve të pronësisë do të jetë transparente.
Rishqyrtimi
Tashmë këto ndryshime në ligjin e legalizimeve do të kalojnë edhe njëherë në procedurën parlamentare. Ato do të diskutohen edhe një herë në komisionet përkatëse si Komisioni i Ligjeve, Komisioni i Ekonomisë dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese. Deputetët e maxhorancës do të kenë mundësinë e një reflektimi, njëkohësisht duhet të konsultohen me kreun e qeverisë, Sali Berisha. Në rast se maxhoranca nuk do të pranojë dekretin e presidentit Topi dhe do të miratojë edhe një herë në Kuvend këto ndryshime, atëherë ndryshimet në ligjin e legalizimeve do të kenë firmën e presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, që kreu i shtetit ka të drejtë të ktheje ligje në Kuvend vetëm një herë.
D E K R E T
PËR
KTHIMIN PËR RISHQYRTIM TË LIGJIT NR. 9895, DATË 10.04.2008 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9482, DATË 03.04.2006 “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR.
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës,
Dekretoj
Kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin, dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
Nr. Dekretit 5687
Tiranë, më 29.04.2008
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BAMIR TOPI
1 Maj 2008