E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit, apel subjekteve zgjedhore: Mjaft fyerjeve dhe shpifjeve në fushatë

Komiteti i Helsinkit u bën apel subjekteve zgjedhore që gjatë fushatës elektorale të ndalojnë fyerjet dhe shpifjet, që kanë qëllim denigrimin e kundërshtarit politik dhe që cenojnë të drejtën e privatësisë, por të angazhohen për një fushatë elektorale të kulturuar, e cila të karakterizohet nga një debat konstruktiv. Komiteti Shqiptar të Helsinkit, si një organizatë joqeveritare me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve, gjithashtu më e hershmja në mbrojtje të të drejtave të njeriut, pasi ka ndjekur me vëmendje takimet e herëpashershme të përfaqësuesve të partive politike me shtresat e ndryshme të elektoratit, përfshirë këtu konferencat e shtypit dhe debatet televizive, me keqardhje ka konstatuar se etika zgjedhore është zëvendësuar më gjuhën e mllefit, cinizmit dhe urrejtjes. Më 28 maj 2009, sipas Kodit Zgjedhor, fillon fushata për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Në fakt, partitë politike kanë disa muaj që e kanë filluar këtë fushatë, edhe pa qenë të regjistruara nga KQZ-ja si subjekte zgjedhore, duke filluar më herët sulmet arbitrare ndaj kundërshtarëve të tyre politik. Kjo, natyrisht është shenjë, e cila paralajmëron zhvillimin një fushate të egër plot vrerë ndaj kundërshtarit politik, jo vetën nga përfaqësuesit e dy partive më të mëdha, por kjo pritet edhe nga partitë e vogla.  Është e kuptueshme për të gjithë se, fushata zgjedhore nuk mund të zhvillohet pa debate. Prandaj, nuk mund të përjashtohen gjatë fushatës, rastet e retorikëve pasiononte, madje edhe të ndonjë teprimi. Por, sipas mendimit tonë, kryesorja është aftësia për të shpalosur me argumente bindëse, alternativat dhe programet e subjekteve përkatëse zgjedhore dhe jo akuzat e ndërsjella të shoqëruara me fyerje dhe shpifje deri edhe në cenimin e të drejtës së privatësisë, -deklaron Helsinki shqiptar. KSHH me keqardhje konstaton se edhe në fushatën për zgjedhjet e këtij viti në disa raste etika zgjedhore është zëvendësuar me gjuhën e cinizmit e të urrejtjes, duke kaluar në plan të dytë programin qeverisësh. Është pikërisht kjo, arsyeja që KSHH-ja i bën thirrje subjekteve zgjedhore, në radhë të parë partive më të mëdha të mazhorancës qeverisëse dhe të opozitës, të shmangin çdo qëndrim apo veprim që do të acaronte atmosferën e fushatës dhe nuk do ti shërbente zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. KSSH shprehet se e shikon  të nevojshme të theksojë se propaganda zgjedhore e ngarkuar me elementë që synojnë denigrimin e kundërshtarit politik dhe që personalizohet duke cenuar dinjitetin e njeriut, nuk ka asgjë të përbashkët me debatin konstruktiv dhe normat e kulturës demokratike. Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjeron që partitë politike të shprehin publikisht angazhimin dhe gatishmërinë për të zhvilluar një fushatë të ligjshme dhe pa konflikte, para nisjes së fushatë, kur sulmet euforike të kenë nisur në drejtim të kundërshtarit politik, duke e denigruar në sy të popullit.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›