E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, partitë në pritje të miratimit të financimeve nga KQZ

Në bazë të vendimit të Parlamentit, partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit, presin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të ndajë fondet e fushatës elektorale për secilën parti, bazuar mbi formulën që votuan deputetët në Kuvend. Sipas vendimit të Parlamentit, Partia Demokratike përfiton mbi 15 milion lekë për fushatën elektorale, ndërsa Partia Socialiste mbi 12 milion lekë. Kështu 10 për qind e shumës ndahet ndërmjet të gjitha partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore. Ndërsa 90 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive të përfaqësuara në Kuvend dhe deputetëve të pavarur që rikandidojnë. Në total, Parlamenti vendosi t'iu japë partive politike për të zhvilluar fushatën e tyre elektorale 65 milion leke, por ky vendim hyn në fuqi vetëm pasi të miratohet nga KQZ, e cila duhet të firmosë edhe listat e kandidatëve për deputetw. Kuvendi i Shqipërisë, në seancën e 15 majit miratoi vendimin për shpërndarjen e fondit publik prej 65 milion lekësh për subjektet zgjedhore në fushatë. Pas kësaj, me miratimin e këtij udhëzimi, KQZ-së i lind e drejta të realizojë shpërndarjen e fondit të akorduar. Neni 87, pika 2 (germa a) e kodit zgjedhor përcakton se "50% e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse". Referuar kodit, gjysma e këtij fondi, (në këtë rast 32.5 milionë lekë) shpërndahet mbi bazën e mandateve parlamentare, që do të thotë se pjesa më e madhe e tij i takon të përfitohet nga PD dhe PS. Po në nenin 87, pika 2 (germa b) sanksionohet se 50 % e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse". Ky udhëzim përcakton rregullat për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhje për Kuvendin, si dhe për mënyrën e rishpërndarjes së fondeve publike subjekteve që do të përfitojnë mandate. Megjithatë, me afrimin e fushatës elektorale partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, janë në pritje të miratimit nga KQZ të udhëzimit Për Shpërndarjen e Fondeve Publike Subjekteve Zgjedhore. Për sa i përket partive të vogla, në bazë të vendimit të Parlamentit, ata përfitojnë këtë fond: PR; 9.041.695 lekë, PSD=5.766.589 lekë, LSI; 3.891.551 lekë, PAA; 3.060.822 lekë, PDS=1.843.952 lekë dhe PDK;1.524.667 lekë. Ajo çka bie në sy nga kjo ndarje është se Partia Republikane dhe Partia Social Demokrate pritet të jenë dy partitë që do të marrin fonde të konsiderueshme për fushatën zgjedhore. Ky avantazh i këtyre dy partive politike vjen si rezultat i zgjedhjeve të 2005, pasi PR kishte në kuvend plot 11 deputetë ndërsa PSD 7 deputetë. Ndërkaq, nga ana tjetër, KQZ është në pritje të plotësimit të dokumentacionit të kandidimit nga partitë politike, pasi deri më tani ka pranuar dokumentacionin e 5 partive, nga 36 të regjistruara. Megjithatë, mësohet se KQZ-ja  do të rimarrë në shqyrtim listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, pasi kjo e fundit pritet ta dorëzojë të korrigjuar atë. Kjo listë u kthye mbrapsht nga anëtarët e KQZ-së ditën e shtunë, me argumentin se nuk plotësohet kushti i përfaqësimit brenda saj të nivelit 30% të grave dhe kjo gjë vihej re kryesisht tek qarku i Lezhës. Sipas kodit zgjedhor, me gjithë kohën e dhënë në dispozicion ndaj partive për korrigjime në lista, rregullimet duhen bërë dhe paraqitur në KQZ jo më vonë se 32 ditë nga data e zgjedhjeve. Partia Socialiste ka pasur 48 orë në dispozicion për të bërë ndryshimet e duhura në listat e kandidatëve të saj për deputetë në qarkun e Lezhës. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli konfirmoi se kjo kohë fillon menjëherë pas përfundimit të afatit të shqyrtimit të listave në komision. Por, me gjithë kohën e dhënë, rregullimet duhen bërë dhe paraqitur në KQZ jo më vonë se 32 ditë nga data e zgjedhjeve. I pyetur për arsyet e kthimit të të gjithë listës së kandidatëve të PS-së, kur probleme kishte vetëm në një qark, Olli sqaroi se ky ishte një standard i vendosur nga komisioni për të gjitha forcat politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se kthimi mbrapsht për listat nuk ka pasur asnjë motivim politik, por ai është kryer për të gjitha partitë të cilat nuk kanë plotësuar standardet e vendosura nga kodi zgjedhor për to, e njëri prej tyre ka qenë edhe ai i përfaqësimit të femrave në listat e kandidatëve në nivelin përtej 30 %.

Last Updated on Tuesday, 26 May 2009 17:53

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›