E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo, Bulqizë: Shteti po ndërhyn në prishjen e fushatës së të majtëve

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka akuzuar strukturat shtetërore se po   ndërhyjnë verbalisht për prishjen e fushatës së të majtëve. I gjendur në qytetin e Bulqizës ku kishte planifikuar takime elektorale, Milo është shprehur se në Pallatin e Kulturës, ku ishte parashikuar çelja e fushatës, papritur është ndërprerë energjia elektrike. Kurse dhjetëra forca policore, sipas tij, kanë penguar gjithashtu edhe një miting në sheshin qendror të qytetit. Sipas kreut të PDS, ishte marrë leja përkatëse për zhvillimin e fushatës, ndërkohë që policia nuk e ka lejuar atë. "Në orën 11:00 ishte parashikuar dhe marrë leje nga policia e Peshkopisë për të zhvilluar dy takime elektorale në pallatin e kulturës në Peshkopi dhe në sheshin qendror të Bulqizës. Për të parin na prenë dritat dhe kemi pritur mbi një orë që të vinin dritat. Në Bulqizë na priste një surprizë tjetër, ne sheshin qendror policia nuk lejonte njerëzit të vendosin instalimet e nevojshme për të zhvilluar mitingun", ka bërë të ditur për mediat, kreu i PSD. Sipas Milos, policia ka deklaruar se mitingu në Bulqizë nuk mund të zhvillohet për shkak se në atë orë ishte duke u zhvilluar një mbledhje e Partisë Demokratike. Milo theksoi se forcat e policisë ushtronin presion mbi qytetarët, në mënyrë që të mos i lejonin të merrnin pjesë në miting. "Ky shtet dhe kjo maxhorancë duhet të marrë fund në 28 qershor. Kjo ishte thirrja jonë në shesh ndaj banorëve që nuk i lejuan të merrnin pjesë", tha Milo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›