Kompania AMC, 50 mijë euro për zonat e përmbytura
TIRANE- Kompania celulare AMC jep 50 mijë euro ndihmë për banorët e zonave të përmbytura. Drejtor i përgjithshëm i AMC-së, Stefanos Oktapodas ka deklaruar se AMC është e gatshme të japë kontributin e saj për përballimin e kësaj situate, në burime njerëzore, financiare e teknike me qëllim plotësimin e nevojave në zonat e prekura. “Ne do të bëjmë të pamundurën për të lehtësuar vështirësitë e banorëve në zonat e përmbytura. Sot do të takoj kryetarin e Komitetit të Emergjencave civile dhe do ti dorëzoj cekun prej 50 mijë eurosh për të ndihmuar banorët. Gjithashtu jemi të gatshëm të ofrojmë komunikim falas për zyrtarët që ndodhen në terren që të flasin me zyrat e tyre. Unë ju siguroj se kjo fatkeqësi nuk ka prekur rrjetin tonë , megjithëse inxhinierët tanë ndodhen në terren. Kemi marrë masat që komunikimi në zonat e përmbytura të jetë i pandërprerë.” thekosi Oktapodas. Drejtor i përgjithshëm i AMC-së u ka bërë thirrje bizneseve të tjera që të ndihmojnë banorët në zonat e përmbytura. (e.n/BalkanWeb)