MB: 2175 shtëpi dhe 10270 hektarë tokë të përmbytura

Ministria e Brendshme ka publikuar të dhëna për situatën në zonat e përmbytura në veri të vendit. Sipas MB-së, deri në orën 13:00 të ditës së sotme në qarkun e Shkodrës janë përmbytur 10270 hektarë tokë, dhe 2175 banesa. Janë evakuuar 3752 persona.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme tregojnë se situata është përkeqësuar në Komunat Bushat dhe Bërdicë, ku niveli i ujit është rritur. Në Bërdicë, rezultojnë të përmbytura 1800 hektarë tokë dhe 130 shtëpi. Nga zona janë evakuuar 350 persona.
Rreth 1700 hektarë tokë rezultojnë të përmbytura edhe në Komunën Bushat, ku në ujë janë edhe 100 shtëpi.Nga kjo komunë janë evakuar 300 persona.
Prej ditësh situata vazhdon të mbetet e rëndë në Komunën e Dajçit dhe Velipojës.
Në Dajç janë 1187 shtëpi të përmbytura dhe 2000 hektarë tokë nën ujë. Nga kjo komunë janë evakuuar mbi 2000 persona.
Edhe në Velipojë rezultojnë 2000 hektarë tokë nën ujë, por numri i shtëpive të përmbytura është më i vogël, vetëm 50. Nga Komuna e Velipojës janë evakuuar 25 persona.
Sipas të dhënave zyrtare, në Komunë Ana e Malit, janë 180 shtëpi të përmbytura, 1370 hektarë tokë nën ujë dhe janë larguar 230 persona.
Ndërkaq në Komunë Guri i Zi, janë përmbytur 200 shtëpi, 650 hektarë tokë ,ndërsa janë evakuuar 689 banorë.
Probleme po hasen edhe në Komunën Qendër të Malësisë së Madhe. Aty rezultojnë 8 shtëpi të përmbytura, 500 hektarë tokë e përmbytur dhe 10 persona të evakuuar.
Situata është përkeqësuar edhe në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
Në Shkodër rezultojnë 320 banesa të përmbytura, 250 dhe hektarë tokë në ujë. Në territorin e Bashkisë së Shkodrës janë evakuuar 148 persona.
Probleme po hasen edhe në aksin Shkodër- Tiranë.
rruga është e bllokuar pranë vendit të quajtur harku i Bërdicës. Qarkullimi drejt Tiranës kryehet në drejtimin Kryebushat- Mjedë- Guri i Zi - Shkodër dhe anasjelltas.