SuperMario transferohet te miliarderët e Sitit
Mario Baloteli ka arritur akordin për transferimin e tij tek skuadra e Mançester Siti dhe në orët në vazhdim, më saktësisht brenda ditës së mërkurë ai do të jetë në dispozicion të teknikut Roberto Mançini. SuperMario do të përfitojë një pagë prej 4 milion eurosh në sezon për 5 vjet ndërsa Interit do ti shkojnë 35 milion euro plus bonuset që do të lidhën me rezultatet e Sitit dhe rendimentin e futbollistit. Për zyrtarizimin e këtij operacioni mungojnë vetëm disa detaje. Baloteli përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara ka përshëndetur miqtë e tij më të ngushtë në një lokal në Milano ku u organizua edhe një festë lamtumire për të. Super Mario të shtunën në darkë ka qenë në Van Gogh Café të Milanos një lokal në zonën “Arco della Pace”. Shokët që e prisnin në lokal ishin rreth pesëmbëdhjetë dhe Baloteli që nuk e priste një surprizë të tillë sipas “Gazzetta dello Sport” ka arritur në lokal rreth orës 1 të natës me makinën e tij të re “Ferrari” dhe më pas ka vazhduar të festojë me ta natën e lamtumirës në një diskotekë. Ishte nata e fundit e tij në Milano. Inter dhe Mançester Siti do të hedhin të zezën mbi të bardhë për transferimin e talentit të ri zikaltër në Angli. Padronit Morati do ti shkojnë 30 milion euro menjëherë dhe 5 milion të tjerë me arritjen e disa bonusëve.
ZANETI
Kapiteni i Interit, Havier Zaneti u nderua me çmimin “Shirea” nga gazetarët italianë. Medalja jepet që nga viti 1992 dhe atë e marrin futbollistët mbi 30 vjeç dhe që kanë pasur një karrierë të shkëlqyer. Për të parën herë këtë sezon ajo u hap edhe për lojtarët e hbuaj që luajnë në Serinë A për të paktën 10 vjet dhe argjentinasi Zaneti u bë kështu i pari lojtar i huaj që e fiton. Trofeu është quajtur “Gaetano Shirea”, për nder të futbollistit legjendar të Juventusit, i cili shpenzoi 14 vjet me gjigantët italian pasi kishte filluar karrierën e tij te Atalanta. Ish-kapiteni i Juventusit dhe Italisë vdiq në një aksident me makinë në Poloni, në vitin 1989, në kohën kur ai ishte ndihmëstrajner i Dino Zofit te Juventusi. Zaneti mori 231 nga 371 vota, duke u bashkuar kështu me Franko Barezin, Roberto Baxhon, Paolo Maldinin, Xhanfranko Zolën dhe Alesandro del Pieron si fitues të këtij çmimi.
TIFOZËT
Tifozët e Interit janë dakord që të shiten si Baloteli ashtu dhe Dagllas Maikoni te Reali i Madridit.
SHBA
Interi zhvilloi stërvitjen e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku merrte pjesë edhe Eto’o.
Roma me ofertë: Jap 2 për Behramin
Roma e gjithmonë dhe më e bindur se Valon Behrami, shqiptari me pasaportë zvicerane, do të ishte përforcimi i duhur për mesfushën verdhekuqe. Aq sa për t’ia arritur të keni lojtarin e Uest Hemit në “Trigoria” janë gati të bëjnë dalje Hulio Baptistën te klubi grek i Olimpiakosit për të pasur paratë e nevojshme. Në tratativën për të pasur kosovarin mund të përfshihet edhe Doni, ndërkohë që kjo ofertë mund të plotësohet edhe me të riun Okaka.
Drente refuzon Juven, zgjedh Liverpulin
Rojston Drente zgjodhi Liverpulin. Anësori holandez i Realit të Madridit, i kërkuar nga Juventusi, Milani, Lacio dhe Fiorentina, vendosi të “martohet” me projektin e Roj Hodgsonit, ku do të zëvendësojë Alberto Rierën, të “emigruar” në Greqi te Olimpiakosi. Të dy klubet nuk e kanë zyrtarizuar akoma transferimin, por konfirmimi vjen nga vetë lojtari përmes faqes së tij në Facebook. “Shumë shpejt do të luaj me Liverpulin, - shkruhet atje, - shpresoj të diskutoj një sezon të madh”.
Polak, rivali i Canës te Gallatasaraj
Anderlehti bëri të ditur përmes faqes zyrtare, se tratativa me Gallatasarajin për transferimin e Jan Polakut është në fazë të avancuar. Mesfushori 29-vjeçar çek ka një kontratë me klubin belg që skadon në vitin 2011. Te klubi i famshëm turk luan edhe Lorik Cana, i transferuar te skuadra kryeqytetase gjatë kësaj vere.
6 yje në kërkim të një skuadre
KARIM BENZEMA
Sulmuesi i Realit, Karim Benzema (22 vjeç, 28 milionë euro vlera e kartonit) është në Madrid më shumë një zëvendësues. Gazeta britanik “Daily Star” raporton se Mançester Junaitid ka treguar interesim.
SESK FABGREGAS
Fantazisti i Arsenalit, Sesk Fabregas (23 vjeç, 55 milionë euro vlera e kartonit) synon të kthehet në atdheun e tij, Spanjë, dhe pikërisht te Barcelona, aty edhe ku e ka nisur futbollin para se të shkonte në Angli.
HAVIER MASKERANO
Kapiteni i Argjentinës, Havier Maskerano (26 vjeç, 26 milionë euro vlera e kartonit) ka një kontratë me Liverpulin deri në vitin 2012. Megjithatë, mesfushori sipas është shumë pranë kalimit te Interi.
RIKARDO KARVAJO
Mbrojtësi i majtë Rikarod Karvajo (32 vjeç, 17.5 milionë euro vlera e kartonit) dëshiron të lërë Çelsin pas gjatë sezonesh. Reali është në gjurmët e portugezit, aq më tepër që lojtarin e do dhe Murinjo.
RAMIRES
Mesfushori i fuqishëm Ramires (23 vjeç, 10.5 milionë euro vlera e kartonit) ishte një ndër më të mirët në Kampionatin Botëror për skuadrën e Brazilit. Ylli i Benfikës kërkohet nga Çelsi në shumën e 25 milionëve.
FERNANDO TORRES
Goleadori Fernando Torres (26 vjeç, 50 milionë euro vlera e kartonit) është i pakënaqur te Liverpuli. Konkurrentët anglezë të Çelsit kërkojnë yllin spanjoll. Trajneri i “Reds”-ave, Roj Hodgson kërkon ta mbajë.
27 Korrik 2010