Partitë e vogla kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor
Eljona Ballhysa
Përfaqësuesit e partive të vogla kanë kërkuar dje, gjatë një tryeze diskutimi për reformën zgjedhore, të organizuar nga ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, që të ndryshojë sistemi zgjedhor. Ata bënë të ditur se ndryshimet në Kod sollën zhdukjen e partive të vogla të parlamentin e Shqipërisë dhe kjo u arrit në sajë të marrëveshjes mes Berishës dhe Ramës. Përfaqësuesit e partive të vogla kërkuan që ndryshimet e radhës në Kodin Zgjedhor të bëhen me mbështetjen e shoqërisë civile dhe të gjitha partive politike. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i pranishëm në këtë tryezë diskutimi u shpreh se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet të fillojë sa më parë. Më i drejtëpërdrejtë në propozimin e tij ka qenë kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi i cili propozoi që sistemi zgjedhor të bëhet proporcional kombëtar me një prag prej 3.5 % dhe të përcaktohen dënime të rënda për komisionerët që vjedhin votat. Ndërsa i vetmi përfaqësuesi i opozitës, kryetari i PDS-së, Paskal Milo vuri theksin në domosdoshmërinë e transparencës së procesit të kaluar zgjedhor për të realizuar një reformë të kompletuar zgjedhore.
Diskutimet
Në aktivitetin me temë “aksioni qytetar për reformën zgjedhore”, të organizuar nga ish-kreu i KQZ-së, Kume, kryetari i LSI-së, Meta tha se reforma zgedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe theksoi se shoqëria civile duhet angazhuar më shumë për çështjen e zgjedhjeve. “Mosmarrëveshjet që kanë rezultuar pas zgjedhjeve i vuan e gjithë shoqëria shqiptare ndaj është koha për një proces gjithëpërfshirës. Duhet krijuar klima e domosdoshme që të diskutohet çdo opsion. Ne nuk shohim vetëm interesat tona, ndaj ne jemi të hapur për administrim politik, administrim teknik. E rëndësishme është që reforma të mos lihet për në minutat e fundit dhe ai që humbet të respektojë rregullat që kemi vendosur në mënyrë transparente”, është shprehur Meta. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo kërkoi që të bëhet më parë transparenca e zgjedhjeve të kaluara parlamentare. “Unë mendoj dhe theksoj se procesi i reformës zgjedhore duhet të shkojë paralel me hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Nëse ne nuk bëjmë transparencë nuk do të mund të realizojmë dot një reformë të vërtetë zgjedhore”, është shprehur Milo. Më i drejtëpërdrejtë në kërkesat e tij ka qenë kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi. “Duhen bërë ndryshime të tilla që të mos përjashtohen partitë e vogla. Që sistemi elektoral të jetë proporcional kombëtar me një prag prej 3.5 %. Të përcaktohet në Kod që cila parti që ka dyshime për manipulim votash, të ketë rinumërim dhe, nëse gjendet sikur dhe një votë e vjedhur, të bëhet një përcaktim ligjor, që komisioneri të dënohet me 10 vjet burg. Vetëm në rast se dënimi është ekstrem atëherë asnjë komisioner nuk do të guxojë të prekë votën”, - është shprehur Lesi. Qëndrimin e maxhorancës e ka bërë të njohur në tryezë ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj i cili theksoi se mekanizmi i administrimit zgjedhor është më i miri i mundshëm, por mungon besimi tek ky mekanizëm administrativ e ligjor. “Për të krijuar besimin duhet që çfarëdolloj risie dhe ideologjie të re që injektojmë në ligj, të mos e bëjnë vetëm lojtarët politikë, por të vijë edhe nga shoqëria civile”, - bëri të ditur Alibeaj. Ndërsa ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume tha në fjalën e tij se puna për realizimin e reformës zgjedhore duhet të fillojë sa më shpejt. “Le ta gjejnë fjalën forcat politike për të krijuar kushtet opitimale për zhvillimin e kësaj reforme. Ne si shoqëri civile do t’i ndodhemi në krah. Objektivi ynë është që në kuadër të aksionit qytetar të prodhojmë rekomandimin dhe informacion për komisonin e ardhshëm të reformës zgjedhore, që vetë kjo reformë të realizohet si një proces gjithëpërfshirës”, - nënvizoi ai. Ndërsa përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Njazi Jaho ka propozuar që shoqëria civile me parë të konsultohet me raportin e OSBE-ODIHIR-it dhe pastaj të bëjë sugjerimet e saj për reformën e ardhshme zgjedhore. “Si përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit mendoj se shoqëria civile duhet së pari të bënte një analizë të rekomandimeve dhe kritikave të bëra nga OSBE-ODIHR-i në raportin e tyre për zgjedhjet e 28 qershorit dhe më pas të jepte sugjerimet e saj për ndryshimet e ardhshme zgjedhore”, - është shprehur Jaho.
Propozimet
Partitë politike të kenë të drejtë të përzgjedhin gjyqtarët që shqyrtojnë ankimimet zgjedhore.
Të ndryshohen dispozitet në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore.
Të ndryshoje Kodi në dispozitat që lidhen me financimin publik të fushatave zgjedhore që të mos ketë ndarje të padrejtë të fondeve.
Të parashikohet deklarimi i shpenzimeve tyë partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe të specifikohen kriteret sipas të cilave KQZ-ja do të bëjë verifikimin e financave të partive.
Partitë të kenë të drejtë të zgjedhin taktika elektorale të ndryshme në zona të ndryshme zgjedhore.
Administrimi i zgjedheve
Partitë nuk duhet të lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komsioneve të nivelit të ulët.
Duhet të ketë mekanizma të efektshme për të plotësuar vendet vakante në administratën zgjedhore, në rast se partitë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të caktuara.
Të zhvillohen trajnime të vazhdueshme të administratës zgjedhore.
Administrata zgjedhore të përbëhet nga nëpunës të shërbimit civil.
Fushata zgjedhore
Të bëhen përmirësime ligjore për të zvogëluar hapsirat e presionit mbi punonjësity e sektorit publik, apo qytetarët e tjerë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës.
Ndërtimi i mekanizmave institucionalë me qëllim që të monitorojnë keqpërdorimin e mundshëm të burimeve të administratës për qëllime fushate, si dhe përdorimin e aktiviteve zyrtare për fushatë.
Media
Përmirësimi i dispzitave ligjore për të bërë të mundur pasqyrimin e balancuar të aktiviteteve zgjedhore.
Votimi
Votimi elektronik
Numërimi nëpërmjet teknikës elektronike të skanimit të votës.
Përmirësim i dispozitave për të zvogëluar fenomenin e votimit në grup.
Pjesëmarrja e grave
Rregullimi i dispozitës për të bërë realisht të mundur kuotën e përfaqësimit të grave.
Rritjen e pjesëmarrjes së grave në komisionet zgjedhore.
Ilir Meta: “Reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse”
Kreu i LSI-së u shpreh gjatë fjalës së tij se reforma zgjedhore që të jetë e sukseshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Mendoj se është shumë mirë që shoqëria civile është angazhuar dhe duhet të angazhohet përsëri, sepse çështja e zgjedhjeve ka qenë kryesisht domeni i forcave politike. mirëpo më pas, mosmarrëveshjet që kanë rezultuar pas zgjedhjeve dhe pakënaqësitë për rezultatin e tyre, i ka vuajtur dhe i vuan e gjithë shoqëria shqiptare, ndaj është koha për një aksion gjithëpërfshirës. Është koha që ky aksion qytetar të luajë një rol sa më esencial për të krijuar të gjithë klimën e domosdoshme që të kemi një reformë të cilën LSI-ja e ka kërkuar me kohë. Me kodin aktual që është në fuqi, LSI-ja është absolutisht e kënaqur, pasi administrimi është një çështje e zgjidhur për të. Por ne asnjëherë nuk kemi menduar dhe nuk kemi parë në një plan të ngushtë apo thjesht interesat e LSI-së për momentin. Ky është një moment ku situata duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare. Ndaj ne jemi të hapur për këtë opsion, ne jemi të hapur për administrimin politik me balancën përkatëse, për administrimin teknik për gjithçka. E rëndësishme është që të kemi një konsensus të plotë dhe të kemi një reformë të standardeve dhe mbi të gjitha, ai që humbet të respektojë rregullat që i kemi vendosur të gjithë së bashku në mënyrë transparente”, - është shprehur Meta.
Paskal Milo: “Pa bërë transparencën e zgjedhjeve të 2009, nuk ka reformë zgjedhore”
I vetmi përfaqësuesi i opozitës në tryezën e djeshme të diskutimit për reformën zgjedhore, ishte kreu i PDS-së, Paskal Milo. Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi që më parë të bëhet transparenca e procesit të kaluar zgjedhor. “Duket se jam përfaqësuesi i vetëm i opozitës në këtë tryezë. Mund të them se reforma zgjedhore vazhdon të riciklohet, për fat të keq, çdo katër vjet dhe për gati 20 vjet rresht politika shqiptar ende nuk ka arritur bëjë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ne kemi dështuar të bëjmë një reformë zgjedhore të kompletuar. Kjo dhe për faktin se dy forcat e mëdha politike kanë bërë një reformë vetëm për interesat e tyre. Ndaj ne sot kërkojmë që të realizohet një reformë e vërtetë që prek thelbin e çështjeve që kanë pasur kontestime. Zoti Meta ka qenë pjesë e qëndrimit kundër ndaj ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve në Kushtetutë. Këto ndryshime bënë që zgjedhjet e qershorit të kontestohen nga opozita. Unë mendoj dhe theksoj se procesi i reformës zgjedhore duhet të shkojë paralel me hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Nëse ne nuk bëjmë transparencë nuk do të mund të realizojmë dot një reformë të vërtetë zgjedhore”,- është shprehur Milo.
Nikollë Lesi: “Sistemi zgjedhor të bëhet proporcional kombëtar”
Kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi bëri disa propozime konkrete për reformën zgjedhore, ndërsa i cilësoi ndryshimet e mëparshme në kod shkatërruese të partive të vogla. “Ky kod duhet të pranojmë se definoi shkatërrimin, pa përjashtim, të të gjitha partive të vogla, majtas apo djathtas. Kjo ka qenë një marrëveshje mes dy të mëdhenjve, që herët dhe kjo dihet tashmë. Por, lideri i maxhorancës e ka bërë të ditur qëndrimin e tij dhe e ka kaluar topin në fushën e opozitës. Por për ndryshimin e Kodit duhet 84 vota. Zoti Milo që është përfaqësuesi i vetëm i opozitës në këtë tryezë mund të na thotë nëse e bind dot liderin e opozitës të bëjë ndryshime thelbësore në Kod. Ndryshime të tilla që të mos përjashtohen partitë e vogla. Që sistemi elektoral të jetë proporcional kombëtar me një prag prej 3.5 %. Të përcaktohet në Kod, që cila parti që ka dyshime për manipulim votash, të ketë rinumërim dhe nëse gjendet sikur dhe një votë e vjedhur, të bëhet një përcaktim ligjor, që komisioneri të dënohet me 10 vjet burg. Vetëm në rast se dënimi është ekstrem, atëherë asnjë komisioner nuk do të guxojë të prekë votën”,- është shprehur Lesi.
28 Korrik 2010