E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers jep mesazhin e lamtumirës, takon Topin, “harron” Berishën



Eljona Ballhysa - “Populli shqiptar ka energjinë për të ndërtuar një Shqipëri të bazuar mbi vlerat e demokracisë dhe mirëqenies”. Ky ka qenë mesazhi i fundit i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, që ka dhënë në përfundim të misionit të tij diplomatik në Shqipëri. Këtë mesazh ambasadori Withers e ka bërë gjatë takimit të lamtumirës, me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ndërsa në përfundim të misionit të tij, Withers ka zgjedhur të takojë publikisht kreun e shtetit shqiptar, ka munguar një takim mes tij dhe kryeministrit Berisha. Por gjatë këtyre tre viteve në Shqipëri, Withers ka treguar se është një ambasador që i thotë gjërat drejpërsëdrejti, pavarësisht pakënaqësive që mund të krijojë. Dhe jo pak kanë qenë pakënaqësitë që ai ka krijuar në rrethin qeveritar. Kështu, Withers ka dalë kundër projektligjit të qeverisë, për Shërbimin Informativ Shtetëror; ka pasur një qëndrim ndryshe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri; ka dënuar tragjedinë e Gërdecit dhe ka bërë thirrje për hetimin deri në fund të personave të lidhur me politikën; si dhe ka kritikuar qëndrimin e maxhorancës në lidhje me rrëzimin e dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës. Këto kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta dhe përplasjet më të bujshme mes ambasadorit të SHBA-ve dhe maxhorancës aktuale. Duket se të gjitha këto kanë ndikuar që Withers të mos zhvillojë një takim lamtumire me kryeministrin Berisha, por vetëm me presidentin Topi.
Takimi
Gjatë takimit, presidenti Topi i ka shprehur ambasadorit Withers mirënjohjen e thellë në emër të shtetit shqiptar për gjithë punën e vyer dhe shërbimin e çmuar diplomatik si përfaqësues i aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se ambasadori Withers “do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona”, - është shprehur Topi. Nga ana e tij, ambasadori amerikan Withers e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për gjithë ndihmesën dhe mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale, duke theksuar se po largohet nga vendi ynë me kujtimet më të mira për këtë periudhë më tepër se trevjeçare dhe “me bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme”.
Me përfundimin e misionit të ambasadorit Withers pritet që një diplomat tjetër të përfaqësojë SHBA-të në Shqipëri. Presidenti amerikan Barak Obama ka propozuar Alexander Arvizu, diplomat karriere i shërbimit të huaj, në rangun e këshilltarit ministror si kandidat për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Emri i Alexander Arvizu u mësua në fillim të korrikut dhe duhet të konfirmohet nga senati amerikan.

Mbetjet plastike, Mediu: “Ligj të rreptë për riciklimin”

“Mbetjet plastike mbeten një nga problemet më shqetësuese, ne mjedis”. Kështu u shpreh ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë diskutimit të tre projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, atij për ambalazhet dhe mbetjet e tyre, bateritë dhe akumulatorët, si dhe për mbetjet dhe pajisjet elektrike dhe elekronike. Ministri Mediu tha se reforma në kuadrin ligjor, duke e përfaruar atë në masën 100 % me atë të BE-së, do t’u japë zgjidhje këtyre problemeve. “Ambalazhet dhe mbetjet e tyre janë një nga problemet e mprehta mjedisore. Ajo që aktualisht përbën shqetësimin më të madh ka të bëjë me ambalazhet plastike. Plastika dhe përdorimi pa kriter i tyre, veçanërisht pas përdorimit janë të shpërndara në çdo pjesë të territorit. Mbi 80 për qind e mbetjeve në gjirin e Lalëzit ishin mbetje plastike të shpërndara në të gjithë territorin, që përbëjnë një problem jashtëzakonisht të madh. Përveç problemeve mjedisore krijon dhe probleme të ndjeshme të peisazhit, estetikës, por edhe të shëndetit të qytetarëve. Miratimi dhe zbatimi i këtij akti do të ketë një impakt pozitiv në këtë drejtim”, - tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit.

Vendi vakant i kreut të Gjykatës Kushtetuese, reagojnë juristët

Juristë të ndryshëm kanë ngritur së fundi zërin për vendin vakant të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Juristi Kudret Çela është shprehur dje se asgjë nuk e pengon Presidentin e Republikës që të dekretojë emrin e kryetarit të kësaj gjykate. Madje sipas Çelës presidenti ka shkelur afatet kushtetuese në lidhje me mos dekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga rradhët e anëtarëve të saj, nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhe prej tre vjetësh. Nga vetë formulimi, natyra juridike e këtij paragrafi, që parashtrohet në nenin 145 të Kushtetutës, rezulton se ky formulim ka në thelbin e vet karakterin shumë imperativ. Çka do të thotë se me mbarimin e këtij afati, kryetari nuk mund të jetë më kryetar. Presidenti duhet që brenda numrit të anëtarëve që ka në Gjykatën Kushtetuese të emëronte një kryetar, duke marrë dhe pëlqimin e Kuvendit”, - tha juristi Kudret Çela. Ai shkon edhe më tej ndërsa deklaron se edhe vetë qëndrimi në detyrë i Vladimir Kristos është në kundërshtim me Kushtetutën. “Punimet e Kuvendit janë mbyllur dhe kjo përbën dhe një çështje që e zgjat më tej, e shton më tej qëndrimin në detyrë, në mënyrë të paligjshme, në një mënyrë që bie ndesh me Kushtetutën”, - vijoi Çela. Sipas përllogaritjeve kohore, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka përfunduar mandati që në datën 7 qershor, ndërsa presidenti i Republikës pak ditë më parë tha për mediat se dekretimi i kryetarit të ri do të bëhet në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar.

Topalli nën gjurmët e Merkelit, merr “Çmimin e Mesdheut”

Forumi Mesdhetar për Paqen i ka akorduar dje në mesditë në Kapri të Italisë, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit “Cmimin e Mesdheut”. Forumi Mesdhetar për Paqen ka përzgjedhur Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, përmes propozimit të bërë nga Senatori Serxho De Gregori, President i delegacionit parlamentar italian i Asamblesë së NATO-s. Në motivacionin e këtij çmimi theksohet se “marrëdhëniet parlamentare mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumë intensive dhe të frytshme, si në nivelin dypalësh, ashtu edhe në forume ndërkombëtare shumëpalëshe; dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është protagonistja kryesore përsa i përket palës shqiptare. Ajo mishëron me historinë personale dhe karrierën e saj, një figurë politike dhe një shembull për të gjithë ne. Karriera brilliante dhe shumëdimensionale akademike dhe karriera në Parlament që nga viti 1997, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2005, shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, Kryetarja Topalli është angazhuar dukshëm e në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet që vendi ka bërë për anëtarësimin në NATO-s, aktualisht në funksion të anëtarësimit në BE-së”, - shkruhet në motivacionin e çmimit të akorduar. Me marrjne e çmimit të Mesdheut, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se “këto vite Shqipëria është transformuar në mënyrë të pabesueshme. Ky çmim është për vendin tim”. Senatori De Gregori gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit tha se “në Kapri, ju jeni gruaja e dytë që merrni një çmim të tillë pas Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel”.

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›