E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajme me SMS, projekt i përbashkët mes ATSH-së dhe “Eagle Mobile”



Kompania më e re e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, “Eagle Mobile”, ka nisur të zgjerojë shërbimet e saj edhe në fushën e informimit të abonentëve me lajmet më të fundit përmes SMS-ve nga telefonat celularë. Këtë shërbim të ri “Eagle Mobile” do ta realizojë përmes një projekti të përbashkët me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, “ATSH”, e cila është treguar e gatshme për bashkëpunimin. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua dje në mjediset e ATSH-së nga drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së Antoneta Malja dhe presidenti i kompanisë “Eagle Mobile”, Ali Taskin, në prani të përfaqësuesve të mediave në Tiranë dhe të kompanisë celulare. Drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin, deklaroi: "Ky është një projekt i rëndësishëm edhe për kompaninë, që pas një muaji prove, duke filluar nga sot, të gjithë abonentët e Eagle-Mobil do të marrin që në orët e para të mëngjesit një SMS për motin e më pas, gjatë gjithë ditës, informacionet me lajme të rëndësishme që transmetohen nga ATSH-ja, duke u informuar në kohë dhe më parë se televizionet apo mediat e tjera”.
Sipas tij, ky është vetëm fillimi, "pasi shumë shpejt do të fillojmë të transmetojmë përmes telefonit edhe lajmet me pamje. Kemi sjellë një filozofi të re për telefonin celular, i cili, përmes “Eagle Mobile”, nuk do të shërbejë vetëm për komunikim, por do të kthehet në një mjet për të kryer të gjitha transaksionet bankare, për të parë postën elektronike etj., dhe jemi të lumtur që i sollëm të gjitha këto risi në Shqipëri dhe u garantojmë klientëve të “Eagle” se do ta ndiejnë veten të privilegjuar se nuk do të përfitojnë vetëm një shërbim të thjeshtë, por një mori shërbimesh”. Drejtoresha e ATSH-së, Antoneta Malja, tha: “ATSH-ja dhe “Eagle Mobile” do të transmetojnë zyrtarisht informacione në celular nën moton ‘lajmi siç ndodh’, duke siguruar transmetimin e lajmeve direkt dhe në kohë rekord, duke ofruar kështu një informacion të dobishëm dhe praktik”. Sipas saj, klientëve të ATSH-së dhe të “Eagle Mobile” do t'u krijohet mundësia që në çdo vend apo situatë të jenë në gjendje të lexojnë lajmet më të fundit nëpërmjet SMS-ve.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›