E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompania kanadeze “TriGranit” i prezanton Kryeministrit një projekt të madh në fushën e turizmit në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësues të kompanisë së madhe ndërkombëtare, kanadeze “TriGranit”, e cila operon në vende të ndryshme të botës në fushën e turizmit dhe komplekseve tregtare.

Interesin e saj për të investuar edhe në Shqipëri kjo kompani e ka shprehur një vit e gjysëm më parë, kohë gjatë së cilës kanë kryer studime konkrete në zonën turistike të Velipojës dhe Rrjollit.

Pas disa vizitash në Shqipëri, përfaqësuesit e kompanisë diskutuan sot me Kryeministrin Berisha variante të projektit që ata do t’i prezantojnë Kryeministrit gjatë vizitës së tij zyrtare në Budapest, ku “TriGranit” ka zyrën e saj të dytë qendrore (për Evropën), krahas zyrës që ka në Toronto.

Ky projekt madhor në fushën e turizmit, që do t’i prezantohet Kryeministrit në mars, mendohet të arrijë shifrën e disa qindra milionë euro.  

Ky investim do të konsistojë në një kompleks gjigand brenda së cilit do të përfshihen jo vetëm vepra turistike- të tipit hotele, restorante, bare etj., por edhe vepra të zhvillimit urban, spitale, kënde sportive etj., konceptuar si një qytezë e vogël.

Kryeministri Berisha i falenderoi përfaqësuesit e “TriGranit” për këtë investim dhe i siguroi për mbështetjen e qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, për fillimin sa më parë të implementimit të projektit dhe finalizimit të tij me sukses.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›