E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Mbështetje për zhvillimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës

Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e Komunës së Gjakovës, së bashku me një përfaqësi të zgjeruar të pushtetit vendor, akademikë, personalitete të kulturës dhe biznesit gjakovar.

Kryeministri  Berisha pasi i uroj mirëseardhjen u shpreh se  kombi shqiptar po përjeton një nga momentet më të shumë pritura e më të gëzueshme të historisë së tij siç është kurorëzimi i pavarësisë së Kosovës.

“Shpirti dhe kultura shqiptare janë shenjat dhe vlerat e patjetërsueshme e të  përbashkëta të identitetit tonë kombëtar, ndaj dita e pavarësisë do të sjell lumturi në çdo vatër  e familje shqiptare kudo në botë. Të gjithë kosovarët duhet të jenë në lartësinë e një gëzimi të ligjshëm e të përmbajtur, pasi sytë e gjithë opinionit botëror janë fokusuar tashmë tek kjo fitore. Akti i shpalljes së pavarësisë duhet te trajtohet me dinjitet si një obligim për gjithë sakrificën shekullore të popullit të Kosovës por dhe një mirënjohje për gjithë dashamirësit kudo në botë që e kanë mbështetur dhe kanë simpatizuar kauzën kosovare.”-vijoi më tej Kryeministri Berisha.  

Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh se me Kosovën e lire e të pavarur, hapësirave  të bashkëpunimit shpirtëror midis dy shteteve do t’i shtohen koordinata të reja të mëtejshme në fushat e kulturës, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, infrastrukturës, biznesit e tregtisë.

Kryetari i Komunës se Gjakovës dhe të gjithë pjesëmarrësit në takim, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë, theksuan se ata ndiheshin të nderuar nga pritja e Kryeministrit të Shqipërisë që është njëkohësisht edhe  “ Qytetari Nderit ” i Gjakovës.

Ata në emër dhe të gjithë banorëve të Gjakovës shprehën mirënjohjen për kontributin e madh të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë  shqiptare për arritjen e pavarësisë  si dhe krijimin e një klime mirëkuptimi dhe solidariteti vllazëror.

Njëkohësisht qeveritarët e Gjakovës i prezantuan Kryeministrit Berisha disa projekte të cilat do të gjallërojnë jetën e Gjakovës dhe rajonit në të dy anët e kufirit.

Kryeministri Berisha i garantoi mbështetje të plotë në përpjekjet e tyre për themelimin e Universitetit të Gjakovës, në projekt-studimin turistik të Alpeve shqiptare si dhe  në lehtësirat e lëvizjes së lirë të  dyanshme të qytetarëve, mjeteve e mallrave.

Në një plan më të gjerë, Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare do të japë gjithë mbështetjen e duhur qeverisë së Kosovës, pushtetit vendor të saj si dhe gjithë grupeve shoqërore dhe ekonomike që synojnë zhvillimin dhe forcimin e një shteti demokratik.

Ajo do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën që lidh dhe lehtëson zhvillimin e dyanshëm ndërkufitar e më gjerë. Në të ardhmen e afërt rrugës Durrës – Kukës do t’i shtohet edhe korridori tjetër Shkodër – Fierzë,  i cili do të lidhë Komunën e Gjakovës  me pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›