Kryeministri Berisha: Qeveria do të rrisë investimet për modernizimin e kërkimit shkencor në universitete
Kryeministri Berisha tha sot se qeveria do të rrisë investimet për modernizimin e kërkimit shkencor në universitetet publike në vend.
“Qeveria, - u shpreh Kryeministri, - ka rritur dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona, do të investojë për modernizimin, informatizimin e plotë dhe librarinë dixhitale të tyre.”
Duke e konsideruar arsimin një nga sektorët prioritarë, ku qeveria ka investuar shumë, veçanërisht në arsimin e lartë, Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur dhe po bën të gjitha përpjekjet për dyfishimin e buxhetit për arsimin.
“Qeveria, - u shpreh Kryeministri - nuk mund të bëjë investim tjetër më të rëndësishëm se në arsim. Ne e kemi përcaktuar shumë drejtë këtë përparësi dhe po i qëndrojmë kësaj, pavarësisht të gjitha vështirësive. Të përpiqesh të dyfishosh buxhetin në një sektor nuk është e lehtë, por ne po e bëjmë këtë.”