E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton 400 vende të reja për tërheqjen e pedagogëve me tituj akademikë, të graduar kryesisht në universitetet jashtë vendit

Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, vendimin për hapjen e 400 vende të reja për tërheqjen në trupën pedagogjike të universiteteve publike të vendit të pedagogëve me grada shkencore.

 “Sot, qeveria merr vendimin për të hapur në universitetet e vendit 400 vende pune për pedagogë, profesorë dhe doktorë shkencash,” u shpreh Kryeministri, duke e veçuar si vendimin më të rëndësishëm në rendin e ditës së mbledhjes së sotme. 

Me këtë vendim, theksoi Kryeministri, synohet të përmirësohet dhe rritet cilësia e mësimdhënies në universitetet publike, duke tërhequr pranë tyre edhe të shkolluarit në universitetet më të mira jashtë vendit, nëpërmjet krijimit të hapësirave të reja në kuadër të procesit të ‘brain gain” (‘rikthimin e trurit’). 

“Situata aktuale në universitetet publike lidhur me gradat e mësimdhënësve, pedagogëve është e papranueshme. Doktoraturat e fituara në universitetet perëndimore përbëjnë vetëm 5 për qind të të gjithë mësimdhënësve, ndërkohë që në vende të tjera është 5 dhe 7 herë më e lartë. Në tërësi shumica e këtyre doktoraturave janë të para viteve ‘90-ve. Ndaj për t’i krijuar një mundësi të re universiteteve tona, për një proces ‘brain gain’, thithjeje të trurit, miratojmë këtë shtesë ndër më të mëdhatë që mund të jetë bërë,” tha Kryeministri.  

Kryeministri Berisha u bëri thirrje drejtuesve të universiteteve të shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofron ky vendim për rekrutimin e më të mirëve në stafin akademik të tyre.

“Unë dëshiroj dhe shpresoj se qarqet akademike universitare të vendit do ta përdorin këtë vendim për të përthithur e rikthyer në Shqipëri celebritete shqiptare, studiues që kanë mbrojtur doktorata apo grada shkencore në universitetet më të mira dhe që kanë dëshirë, në përputhje me kushtet e reja, të rikthehen në vendin e tyre. Ndaj do të doja t’u bëja thirrje drejtuesve të rinj të universiteteve dhe fakulteteve të vendit, ta trajtojnë këtë problem me seriozitetin më të madh e ta shfrytëzojnë këtë moment për të shënuar një hop të rëndësishëm në rekrutimin e pedagogëve në universitetet tona publike, si një kusht, absolutisht, përcaktues që t’i rezistojnë kohës dhe të qëndrojnë në lartësinë e saj. Rritja e cilësisë në universitete dhe shkollat tona është interesi më i mirë i publikut dhe i vendit,” u shpreh Kryeministri.

Duke e konsideruar një arritje të madhe dyfishimin e numrit të studentëve, krahasuar me vitin akademik 2004-2005, ku nga 52 mijë studentë, sot janë mbi 100 mijë, Kryeministri siguroi se ky numër do të rritet edhe më shumë, çka kërkon, gjithashtu, rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies në universitetet tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›