E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Komandantin e Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral major Glenn K. Rieth

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komandantin e Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral major Glenn K. Rieth, i cili në krye të një delegacioni të lartë ushtarak zhvilloi një vizitë disa ditore në vendin tonë.

Gjenerali major Glenn K. Rieth, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen, u shpreh se ka patur privilegjin të trajnojë dhe të bashkëpunojë me trupat ushtarake shqiptare, të cilat kanë arritur një reformin dhe transformim jashtëzakonisht mbresëlënës. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, tha ai, janë ushtarë të denjë dhe kanë marrë vlerësimin maksimal të Komandës së New Jersey-t, si dhe në misionet ku ata kanë marrë pjesë në kuadër të NATO-s apo koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, në Irak.

Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar më tej për trajnimin e ekipeve shqiptare OMLT, të cilat do tw përgatiten për mision në Afganistan. Një ndër arsyet e sukseseve të arritura nga ushtritë e SHBA-ve dhe të NATO-s është edhe kontributi dhe angazhimi i Shqipërisë dhe i Forcave të saj të Armatosura, theksoi ai.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën ushtarake mes komandës së New Jersey-t dhe Forcave të Armatosura shqiptare, Gjenerali major Glenn K. Rieth  shprehu dëshirën që këto marrëdhënie të shtrihen në të gjitha fushat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe shtetit të New Jersey-t.

Kryeministri Berisha e falënderoi Gjeneralin Rieth për ndihmën e vazhdueshme që kjo komandë u ka dhënë Forcave të Armatosura shqiptare në rrugën e reformimit dhe suksesit të tyre. Kryeministri vuri në dukje se qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet në reformimin dhe modernizimin e FA shqiptare dhe arritjen e standardeve të NATO-s, duke u fokusuar në një ushtri të vogël në numër, profesionale, të denjë  dhe ndërvepruese me NATO-n në misionet paqeruajtëse.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar bashkëpunimin e mëtjeshëm me shtetin e New Jersey-t, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në fusha të tjera.

Të dy personalitetet vlerësuan bashkëpubnimin e shkëlqyer që vendi ynë ka me NATO-n në Afgarnistan, por edhe me SHBA-të në Irak, si dhe ndanë të njëtin vullnet për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.   

Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral major Glenn K. Rieth shprehu gadishmërinë për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme të Forcave të Armatosura shqiptare,  për t’iu përgjigjur situatave të emergjencave civile dhe kombëtare. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›