Kryeministri Berisha feston me banorë të Libohovës në takimin e përvitshëm të brezave
Ndalesën tjetër Kryeministri Berisha e pati në Libohovë, ku mori pjesë sëbashku me banorët e zonës në takimin e përvitshëm të brezave "Tradita libohovite", një festë e re e iniciuar nga bashkia e qytetit për të ruajtur dhe konsoliduar traditat e kësaj treve.
Kryeministri falënderoi drejtuesit vendorë dhe banorët e qytetit për ftesën dhe mikpritjen, për të gëzuar sëbashku me ta dhe kujtuar traditën e qytetit të tyre, të cilën Kryeministri e konsideroi të lashtë sa edhe kombi shqiptar. "Ju jeni mbledhur për të kujtuar traditën, sepse brezat janë si stacionet në të cilat shoqëritë ngjiten më lart," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi qytetarët e Libohovës së qeveria do të mbështesë në çdo projekt kryetarin e bashkisë dhe Këshillin Bashkiak në mënyrë që jeta e qytetarëve të Libohovës të përmirësohet më tej. Kryeministri tha se qeveria është e gatshme të japë mbështetjen e saj për investime në ujësjellës, arsim dhe në çdo projekt tjetër zhvillimi të këtij qyteti, si dhe për rivlerësimin e pasurive të mëdha të kësaj treve. Duke vlerësuar jo vetëm traditën, por edhe objektet e rëndësishme historike dhe kulturore të saj, Kryeministri theksoi se është në detyrën e pushtetit vendor që kështjella e Libohovës, e përshkruar në të gjitha librat e historisë, të bëhet e njohur për turistët e huaj dhe të krijohen lehtësirat që ata të mund ta vizitojnë atë.
"Tradita libohovite" organizohet çdo vit në muajin gusht nga bashkia e qytetit dhe mbledh sëbashku banorë nga qyteti i Libohovës dhe zona përreth.