E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet investimi 250 milion euro i shoqërisë spanjolle të çimentos "Aguila Cement" sh.p.k

-Kryeministri Berisha pershëndet grupin "Aricam" për shfrytëzimin e cimentos cilësore shqiptare

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit të kompanisë spanjolle Cementos Aguila shpk, të grupit "Aricam". Ky grup, i specifikuar si lider për inertet dhe materialet e ndërtimit operon në disa vende të botës si Portuagali, Marok, Kroaci, Mal të Zi, etj. Në vendin tonë grupi Aricam do të financojë projektin për ndërtimin e fabrikës së çimentos, në Mamurras, me një investim total prej 250 milionë eurosh dhe do të operojë në zonën e Laçit, Krujës, Mamurrasit dhe Thumanës. Në fazën e parë të prodhimit sasia e çimentos do të jetë prej 1 milion e 500 mijë ton, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze dhe fillimit të fazës së dytë , prodhimi do të rritet në 2 milion e 600 mijë ton në vit, prej të cilit 50 % do të jetë e destinuar për Shqipërinë dhe pjesa tjetër, për eksport. Ky projekt, i cili pritet të funksionojë në muajt e parë të vitit 2010, do të punësojë rreth 600 punëtorë, si dhe shumë të tjerë qe do te punësohen në aktivitete që nuk janë në lidhje të drejtëpërdrejtë me fabriken, por janë në funksion të saj.

Presidenti i grupit Aricam zoti Jose Joaquin Senosiain, falenderoi Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e treguar ndaj kësaj kompanie dhe shprehu gatishmërinë për të invëstuar edhe në biznese të tjera. Zoti Senosiain premtoi se fabrika në fjalë do të jetë e përmasave dhe standarteve moderne, si dhe do të respektojë dhe ruajë mjedisin.

Nga ana e tij, Kryeminisri Berisha, duke marrë fjalën u shpreh se vendimi i kompanisë Aguila Cementos për të investuar në Shqipëri, në industrinë e cimentos , është një zhvillim pozitiv, mjaft shpresëdhënës për vendin tonë.

Kryeministri shprehu bindjen se ardhja e grupit spanjoll Aricam në Shqipëri me investime të përmasave të tilla të mëdha, do të shoqërohet me ardhjen e kompanive të tjera të mëdha spanjolle në vendin tonë.

Duke siguruar se qeveria shqiptare do të bëjë cdo përpjekje për të krijuar kushte sa më lehtësuese në veprimtarinë e investitorëve të huaj, Kryeministri shprehu bindjen se me këtë investim cimentoja cilësore e Shqipërisë, do të bëhet shumë e njohur në Evropë dhe në botë.

Më tej Kryeministri u shpreh:

"Për shqipërinë sot është një ditë shumë e rëndësishme. Vendimi juaj në bazë të përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, për të investuar në industrinë e cimentos në Shqipëri, 250 milion euro përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, shpresëdhënës dhe të rëndësishjëm për vendin tim. Me këtë rast unë dua tu shpreh ju mirënjohjen e thellë zoti president Jose Joaquin Senosiain, zotit Emilio Jimenez President I Grupit për Shqipërinë, i cili me një persistencë të admirueshme, me durimin e tij bëri të mundur të arrijë në këtë ditë dhe të gjithë atyre ekspertëve spanjolle dhe shqiptarë që në përmbushjen e detyrimeve të tyre, krijuan mundësi për vendimin që morën.

Zoti president, vendimi juaj tejkalon rëndësinë e biznesit për Shqipërinë. Ky është investimi më i madh spanjoll në Shqipëri dhe dua tu siguroj se për ne marrëdhëniet me vendin tuaj, kanë një rëndësi të vecantë. Unë kam bindjen se ardhja e grupit tuaj në Shqipëri me një investim të madh do të shoqërohet me ardhjen e kompanive të tjera të mëdha spanjolle. Ato do të gjejnë kurajo në vendimin tuaj, do të gjejnë rrugën e hapur. Unë dua tu siguroj ju se dotë bëjmë cdo përpjekje për të lehtësuar, nga cdo burokraci veprimtarinë tuaj dhe të biznesmenëve të tjerë spanjollë. Grupi juaj ka vendosur të investojë në një zonë ku po investojnë grupe të tjera të mëdha në cimento dhe kjo nuk është rastësi. Cilësia e materialit atje është e shkëlqyer dhe unë e kam bindjen se së shpejti me investimin tuaj të madh prej 250 milion eurosh, cimentoja e Shqipërisë do të bëhet shumë e njohur në Evropë dhe në botë."

Në përfundim, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias spanjolle lidhur me përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Gjatë këtij viti ne finalizojmë një revolucion të vërtetë fiskal . Shqipëria në janar të vitit 2008 do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Disa tregues janë jashtëzakonisht shpresëdhenës. Eksporti i mallrave "Made in Albania", duke përjashtuar këtu eksportin e mallrave të importuara dhe të përpunuara në Shqipëri, është rritur me 35 % këtë vit krahasuar me një vit më parë. Krediti për ekonominë, I cili ka qenë shumë i ulët, është rritur nga rreth 7-8 % e GDP që ishte dy vjet më parë, në 30 % të GDP në fund të këtij viti. Investimet e huaja në vitin 2006 kanë qenë tre herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit. Në këtë verë kanë vendosur të investojnë në Shqipëri krahas grupit tuaj, grupe të tjera me shuma po kaq të mëdha si kompania Titan, disa grupe të tjera për cimenton, janë në përfundim e sipër të dokumentacioneve. Dy banka të mëdha të Evropës dhe Botës janë instaluar në Shqipëri gjatë kësaj vere, San Paolo IMI dhe Societe General, kompani të mëdha sigurismesh gjithashtu. Në fushën e energjisë, kompanitë më të mëdha të energjisë ujore të Evropës janë duke punuar në Shqipëri. Projekte të mëdha janë për investime në termoprodhim, sikundër edhe në energjinë e rinovueshme. Unë do të doja që ju të siguronit botën e biznesit spanjoll se në këtë vend janë ndezuar motorët e rritjes së shpejtë ekonomike.

Ndërsa lidhur me pyetjen se kur do të jetë Shqipëria pjesë e Bashkimit Evropian, Kryeministri komentoi:

Projekti i integrimit në NATO dhe BE janë dy projektet më madhore të shqiptarëve këtë shekull. Ne kemi firmosuar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ndër vendet e para që ka ratifikuar këtë marrëveshje është vendi juaj për të cilin unë jam shumë mirënjohës. Në samitin e Rigës, Kryetarë të shteteve të Aleancës së Atlantikut të Veriut përmendën edhe Shqipërinë si një kandidat i mundshem për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Shqipëria po zbaton me seriozitet të madh marrëveshjen e Ad-Interit të Stabilizimim Asoociimit dhe vlerësimet janë shumë positive. Shqipëri po zbaton me seriozitet ciklin e 9-në të Anëtarësimit në NATO, të përcaktuar nga ministrat e jashtëm të NATOs në OSLO dhe ne shpresojmë se do të marrim ftesën në Bukuresht.

Nje gjë ëshhtë e sigurtë, Shqipëria është një vendi që i besojnë çdo ditë e më shumë dhe dëshmia është prania juaj këtu."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›