Pagesat e telefonave i bënte Kreshnik Spahiu
08/02/2005 Ngatërresa e numrit të telefonit të Altin Arapit me atë të Kreshnik Spahiut është bërë gjatë dëshmisë së shtetases Enkelejda Batku. Dëshmitarja pohoi se është kushërira e Kreshnik Spahiut, vajza e hallës së tij. Ajo punon në një pikë të shitjes së kartave telefonike Vodafone dhe pohoi se ka pajisur me disa numra shokët e kushëririt, mes tyre dhe një me emrin Altin. Dëshmitarja pohoi se është pyetur në polici për 12 orë. Madje, bashkë me të është shoqëruar edhe e fejuara e Kreshnik Spahiut. Gjatë marrjes në pyetje, Batku ka dhënë dy numra telefoni, 0692097743 dhe 0692097747. Për numrin e parë, dëshmitarja është shprehur se e ka patur Altin Arapi, ndërsa numrin e dytë Kreshnik Spahiu. Ndërkohë nga ana e akuzës dje gjatë seancës dhe më parë ka dalë e kundërta. Numrin që përfundon me 747 e ka patur në përdorim Altin Arapi dhe me këtë numër është telefonuar agjencia e taksive. Dëshmitarja tha dje se nuk ka patur ndonjë qëllim kur ka dhënë numrat, por ashtu i mbante mend. Sipas saj, të gjitha numrat që merrte kushëriri paguheshin prej tij dhe ajo nuk i njihte klientët. Dëshmitarja tha se ngatërresën nuk e kishte bërë qëllimisht.