E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sollaku: Ju tregoj natën e vrasjes

08/02/2005  Rrëfen në Gjykatë dëshmitarja okulare, gruaja e Kryeprokurorit

Personi që qëlloi Gencin është i ngjashëm me Altin Arapi

TIRANË – "Në momentin e vrasjes nuk e kam njohur personin që qëlloi mbi Genci Sinën. Disa kohë më pas, kur Altin Arapi doli në konferencë për shtyp, së bashku me dy avokatë nga Belgjika, vura re një ngjashmëri midis tyre. Dyshova se ai që qëlloi mbi Gencin ishte personi që doli në konferencë për shtyp. Këtë gjë arrita ta bëja vetëm nëpërmjet karakteristikave që dallova natën e ngjarjes". Kështu ka deklaruar dje para gjykatës, Zina Sollaku, gruaja e Kryeprokurorit Theodhori Sollaku, e cila në momentin e goditjes së shoferit të familjes ishte së bashku me vajzën e vogël në makinë.

Dëshmia

Sollaku shpjegoi me hollësi momentin kur doli nga shtëpia, e më pas përplasjen me personin që e qëlloi për vdekje Genci Sinën. "Dola nga shtëpia rreth orës 19.30 të datës 29 shtator 2003. Pasi bëmë xhiro në disa dyqane, dolëm në bulevard. Taksia nga doli personi që qëlloi kishte ndaluar para nesh në kryqëzimin e unazës me bulevardin. Genci kishte të hapur xhamin e makinës". Dëshmitarja Zina Sollaku, tha dje para gjykatës se, personi që qëlloi komunikoi me gardistin. Ai i tha, përse e shihte. Sipas dëshmitares, tonet e personit nga taksia ishin acaruese. Gruaja tha se, Genci iu përgjigj se nuk po e shihte dhe se nuk kishte punë me të, pasi ishte i shoqëruar. Më pas, Genci, sipas dëshmisë së dhënë nga Sollaku, ka tentuar të hapë derën e makinës për t'u sqaruar, por personi nuk i la kohë ta bënte këtë veprim. "Djali që ishte në taksi e qëlloi menjëherë Gencin, nga pjesa e xhamit të hapur. E kam parë personin nga pjesa e xhamit të zbuluar nga perdja, ishte 10 centimetra e hapur. Pistoleta u ngjesh në trupin e shoferit. Mbaj mend që nuk bëri zhurmë".

Autori

Sollaku tha se ai që qëlloi mbi Genci Sinën ishte me trup mesatar, flokë të shkurtra, esmer, me syze optike, me mjekër, këmishë bezhë me vija të kuqe, me dialekt vlonjat. Dëshmitarja tha dje se, viktima Genci Sina ka patur armë me vete atë ditë, por nuk ka tentuar të qëllonte mbi kundërshtarin. Më pas, Sollaku shpjegoi se e terrorizuar ka dalë nga makina dhe është fshehur së bashku me vajzën prapa një kioske më të afërt. Ajo ka kërkuar ndihmë, duke bërtitur "e vranë, e vranë". Vetë Sollaku tha dje se nuk e ka parë drejtimin nga ka ikur atentatori, por nga njerëzit e pranishëm ka dëgjuar se është larguar në drejtim të Bllokut, e shoqëruar nga një vajzë. Dëshmia e dhënë dje nga gruaja e Theodhori Sollakut dhe përshkrimi i bërë për atentatorin, përputhen me të dhënat që Prokuroria ka për të pandehurin Altin Arapi. Të njëjtat karakteristika kanë dhënë në polici edhe dy shoferët e taksive, që kanë transportuar çiftin atë natë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›