E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi financiar, peng i vendimit të qeverisë

 

Rishikimi i vlerës së trojeve nga ana e Ekzekutivit mban peng procesin e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Fondi i akorduar në fillim të vitit 2008 prej 500 milionë lekësh ka mbetur pezull, për shkak se një grup i posaçëm punë i ngritur ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave nuk i ka vendosur vulën përfundimtare të çmimeve të reja të trojeve në shkallë republike. Muaj më parë kryeministri Sali Berisha i cilësoi çmimet e përcaktuara në hartën e vlerës të trojeve si mjaft të lartë, pasi niveli i përcaktuar kishte diferenca të mëdha, dhe se përcaktimi i bërë nuk përputhej me realitetin. Berisha kërkoi që rishikohet harta e vlerës së tokës, me synimin që shifrat e miratuara muaj më parë nga vetë Qeveria të kenë tendencë uljeje. Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar më 5 gusht Berisha deklaroi se "Unë dua t'i njoh qytetarët se kjo është bërë e domosdoshme se p.sh toka në Kamzë, sipas kësaj metodike, del 5 herë më e lirë se toka në Tropojë, apo 10 herë më e lirë se në Peshkopi. Të jemi realiste se për sa i përket vlerës së tokës, tregu i Tiranës, në raport me tregun e Tropojës apo Peshkopisë, është me dallime shumë të mëdha". Kanë kaluar mbi 2 muaj nga apeli i kryeministrit, por grupi i ekspertëve që po punon për këtë çështje ende nuk ka dhënë vendimin përfundimtar për hartën e vlerës së pronave, duke mbajtur peng procesin e kompensimit fizik. Agjencia e Kthimit të Pronave kishte premtuar që brenda muajit qershor të këtij viti të realizonte procesin e kompensimit financiar, por pikërisht ky rishikim i hartës së vlerës dhe ndërrimi i drejtorit të përgjithshëm, solli bllokimin e ndarjes së fondit prej 500 milionë lekësh. Drejtoria e Kompensimit financiar ka përcaktuar dhe skemën e ndarjes së fondit, ku do të përfitojë ai ish-pronar që ka depozituar i pari dosjen pranë zyrave rajonale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›