E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, AKKP bën gati kompensimin fizik, përfitojnë ata që depozituan më herët kërkesat

 

BLEDAR HOTI

Agjencia e Kthimit të Pronave pritet të nisë brenda këtij muaji procedurat për kompensimin fizik të ish-pronarëve.
Zyrtarë të kësaj agjencie kanë deklaruar se brenda këtij viti do të nisë procesi i kompensimit fizik të ish-pronarëve. Brenda këtij muaji pritet të startojë procesi i depozitimit të kërkesave nga ana e subjekteve të shpronësuara, në të cilën duan të realizojnë kthim fizik. Për AKKP-në nisja e një procesi të tillë mund të krijojë lehtësira për procesin tjetër të kompensimit financiar, pasi fatura e saj është shumë e lartë dhe e papërballueshme për arkën e shtetit shqiptar.
Skema
Skema e realizimit është pothuajse e njëjtë me atë të paraqitur për kompensimin financiar. AKKP-ja ka përcaktuar se do të përfitojnë ato ish-pronarë që kanë paraqitur kërkesën e parë pranë zyrave rajonale të kthimit të pronave. Pra nga ky proces do të përfitojnë ata që kanë dorëzuar më parë sesa të tjerët dosjen dhe kërkesën për kthimin e pronës. Gjithashtu mësohet se përparësi do t'i jepet dhe ish-pronarëve që kanë pasur sipërfaqe të madhe toke në pronësi më përpara. Subjektet e shpronësuara, të cilëve iu është zënë prona duhet të marrin tokën që Agjencia ofron, por në këtë proces do të shihet afërsia e tokës së lirë me pronën që i është mbivendosur ish-pronarëve. Pra nëse një ish-pronar i Tiranës kërkon të kompensohet fizikisht, atëherë AKKP-ja do të tentojë t'i ofrojë tokë brenda këtij qarku. Pas depozitimit të dokumentacionit, do të jetë AKKP-ja që do të administrojë kërkesat dhe do të përcaktojë fituesit. Qeveria ka vënë në dispozicion disa toka të lira për ish-pronarët. Toka bujqësore është në 17 500 ha, ndërsa po verifikohen dhe 3000 ha tokë bujqësore të tjera. Deri më tani Agjencia e Kthimit të Pronave nuk ka dhënë asnjë vendim për kompensimin fizik të ish-pronarëve, shkak i saj është bërë mos vënia në dispozicion të fondit të tokave të lira nga ana e Këshillit të Ministrave.
Verifikimi i tokës
Ministria e Bujqësisë ka dhënë për AKKP-në nj fonde prej 17.500 ha tokë bujqësore për kompensimin fizik. Ky fond i tokave të lira nuk përfshin tokat e refuzuara që janë në rreth 25 mijë ha. Por ende nuk është përcaktuar nëse këto prona të lëna djerrë, të refuzuara nga banorët e zonave rurale, do të përfshihen në procesin e kompensimit fizik ose jo. Sipas burimeve, mësohet se tokat e lira prej 17 mijë ha tokë bujqësore janë duke u riverifikuar nga ana e zv.kryeministrit Genc Pollo, i cili brenda pak ditësh pritet të shprehet për shifrën e paraqitur nga ana e ministrive, pasi një pjesë e tyre nuk ka ende dokumentacionin e duhur të pronësisë. Agjencia e Pronave pritet të përfshihet dhe në procesin e nisur nga Komisionet qeveritare të tokave për verifikimin e titujve të pronësisë. Kjo Agjenci duhet të bashkërendojë punën e komisionin qeveritar të tokës, që drejtohet nga zv.kryeministri Pollo, për mënyrën e zbatimit të ligjit 7501. Në sitën e KQT-së janë hetimi mbi 4500 ha tokë bujqësore të ndara sipas këtij ligji, por që rezulton të jenë kryer në mënyrë abuzive.

AKKP-ja, me sy nga procesi i legalizimeve

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të përfitojë shumë të konsiderueshme nga procesi i legalizimeve. Sipas vetë kreut të këtij institucioni, Tunxh Vatnikaj, rreth 80 për qind e shumave që do të mblidhen nga Agjencia e Legalizimeve do t'i kalojë në arkën e AKKP-së, për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve. Këto fonde pritet të përfitohen nga një pjesë e mirë e procesit të legalizimit të zonës, ku më shumë ndërtime informale ka në atë të Tiranës. AKKP-ja po bashkëpunon me ALUIZN-in për procesin e legalizimeve, për të verifikuar nëse trojet ku janë ndërtuar shtëpitë pa leje janë në pronësi të ish-pronarëve. Në bazë të ligjit, ALUIZNI duhet të dërgojë pranë Qeverisë listën e ish-pronarëve që duhen kompensuar financiarisht për t'ia kaluar më pas si procedurë, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. ALUIZNI ka deklaruar se brenda muajit shtator do të nisë procesi i dhënies së tapive për 200 mijë familje, por ky proces ende nuk ka nisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›