Raporti i OSBE: Shteti s'ka fonde për kompensimin
OSBE-ja në raportin e saj vjetor shprehu shqetësimin e saj në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri. "Në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit, mund të bëhet më shumë për të rritur transparencën dhe për të përshpejtuar më tej procesin. Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje të paraqitura pranë AKKP dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin", thuhet në raportin e paraqitur nga ambasadori Bosch. Sipas tij, duhet ndërmarrë edhe një vlerësim mbi aftësinë e shtetit, për të kompensuar ish-pronarët me të holla, pasi si ish-pronarët ashtu edhe qeveria e kuptojnë se shteti nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të kompensuar 100% të Vlerës së Drejtë të Tregut të sotëm si kompensim për shpronësimet.