E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit, peticion Topit, Berishës e Topallit

 

ADI SHKEMBI

Në kushtet kur politika nuk po arrin të gjejë konsensus për hapjen e dosjeve dhe ende nuk ka nisur dëmshpërblimi i ish të dënuarve politikë, shoqata e të përndjekurve ia rikthen këto çështje në vëmendje sërish krerëve të shtetit. Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë i ka dërguar një letër Presidentit Bamir Topi, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministrit Sali Berisha, ku kërkojnë pikërisht nisjen e zbatimit të ligjit për dëmshpërblimin e kësaj shtrese si dhe hapjen e dosjeve, duke garantuar se nuk ka për të pasur konflikt social në një rast nëse persekutorët përballen me të persekutuarit. "Të fillojë menjëherë dëmshpërblimi bazuar në Kushtetutën e këtij vendi, dhe jo të kërkohen dokumente burokratike dhe në kundërshtim me statusin tonë kushtetues për të shtyrë afate. Këto janë detyrime të sistemit ku aderojmë me kombet e tjera demokratike, dhe jo se ne u masakruam që të dëmshpërblehemi", thuhet në letrën prej 10 kërkesash të kësaj shoqate. Sipas ish të dënuarve politikë: "Ne kërkojmë urgjentisht të hapen të gjitha dosjet. Ju sigurojmë se nuk ka asnjë konflikt social siç pretendohet nga politika, se ne që kishim të drejtë të hakmerreshim ndaj krimeve të djeshme nuk u hakmorëm, duke mos rënë në kënetën e krimit dhe të hakmarrjes, prandaj çdo pretendim i politikës është i pabazë, refleksion i tyre për të mos publikuar krimet komuniste", vijon më tej kërkesa. Gjithashtu të përndjekurit kërkojnë që qeveria të aprovojë një fond të veçantë financiar për të gjetur trupat e 4500 qytetarëve shqiptarë që janë pushkatuar pa gjyq. Një prej kërkesave të kahershme të kësaj shtrese është edhe zbatimi i menjëhershëm i rezolutës së Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, sikundër shpalljen dëshmorë të atdheut të të gjithë të pushkatuarve të regjimit. Duke bërë një paralelizëm me ish-pronarët, ish të përndjekurit kërkojnë gjithashtu "të fillojë menjëherë dhënia e pronës pronarit të ligjshëm dhe të ndalet politika e katovicës si ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj pronarëve të ligjshëm. Për votimet e vitit 2009 të bëhet referendum kombëtar për sistemin zgjedhor dhe mos të tjetërsohet vota e votuesit siç ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve të pluralizmit". Sipas të dhënave të shoqatës së të përndjekurve politikë, rezulton se 5577 burra dhe 450 gra u pushkatuan me ose pa gjyq; 26.768 persona u burgosën; 998 burra dhe 45 gra vdiqën në burgjet politike; 308 burra dhe gra u çmendën nga torturat; 50.000 familje u internuan dhe pjesa më e madhe fëmijë dhe pleq, nga të cilët 7.022 kanë vdekur në kampet moçalore.

Kërkesat e të përndjekurve

1.     Të dënohet dhe t'i hiqen titujt diktatorit më kriminel në gjithë Evropën, Enver Hoxhës, për genocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar për 45 vjet.
2.     Të hapen arkivat e të publikohen dokumentet e krimit komunist 45-vjeçar. Të hapen të gjitha dosjet, ju sigurojmë se nuk ka asnjë konflikt social siç pretendohet nga politika.
3.     Të fillojë menjëherë dëmshpërblimi, bazuar në Kushtetutën e këtij vendi, dhe jo të kërkohen dokumente burokratike dhe në kundërshtim me statusin tonë kushtetues për të shtyrë afate.
4.     Qeveria të aprovojë një fond të veçantë financiar për të gjetur trupat e 4500 qytetarëve shqiptarë që janë pushkatuar pa gjyqe.
5.     Ftojmë mediat të ndalojnë promovimin e nomenklaturës së diktaturës se kështu i shërbejnë pajtimit kombëtarë, dhe jo ndarjes dhe urrejtjes.
6.     Të implementohen dhe të zbatohet menjëherë rezoluta e Këshillit të Evropës.
7.     Të gjithë të pushkatuarit të shpallen dëshmorë të atdheut dhe të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
8.     Të hiqen simbolet e komunizmit në vendet publike.
9.     Të vendoset në kryeqytet memoriali kushtuar mijëra shqiptarëve që u masakruan nga diktatura komuniste.
10.     Të fillojë menjëherë dhënia e pronës pronarit të ligjshëm dhe të ndalet politika e katovicës si ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj pronarëve të ligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›