E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon Presidentin Sejdiu

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta takoi dje  pasdite Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjatë këtij takimi, i cili zgjati rreth 30 minuta, Sejdiu falënderoi Metën për rolin që ai ka dhënë në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen ndërkombëtare të saj. Më pas Presidenti Sejdiu, foli për sfidat, me të cilat duhet të përballet Kosova, ku ai renditi sfidat e zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe shoqëror, në mënyrë të veçantë sfidat e integrimit të komunitetit serb, në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit. Nga ana e tij, Kryetari i LSI-së, Meta vlerësoi rolin e moderuar të Presidentit Sejdiu në stabilitetin politik, që është arritur tashmë në Kosovë. Ndër të tjera, Meta theksoi nevojën e zhvillimeve të gjithanshme në marrëdhëniet midis Kosovës dhe në kontributet e ndërsjellta, për forcimin e paqes dhe prosperitetit në rajon. Sipas tij, LSI do të jetë gjithmonë në mbështetje të nismave dhe reformave integruese, që shteti i ri do të ndërmarrë në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›