Lammert në Tiranë: Asgjë nuk e justifikon bojkotin
Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, kundërshton në Tiranë bojkotin e opozitës së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një ide jo të mirë. Sipas tij, asgjë nuk e justifikon bojkotin. Z. Lammert, duke theksuar rëndësinë qenësore që ka Parlamenti për funksionimin e një demokracie, tha se bojkoti i tij nuk është një ide e mire. “Kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson cilësinë e vet. Roli i parlamenteve është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për sistemet demokratike. Një parlament është platforma më e rëndësishme dhe forumi më i rëndësishëm demokratik që mund të ekzistojë në një sistem demokratik”, - tha Lammert. Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, morën pjesë dje në përurimin e zyrave të fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë. Fondacioni politik i Unionit Kristian-Demokrat të Gjermanisë, aktualisht forcë në pushtet, mban emrin e Kancelarit të parë gjerman, Konrad Adenauer. Kryetari i Bundestagut gjerman, Lammert, duke vlerësuar hapjen e kësaj përfaqësie shumë të rëndësishme për jetën politike dhe zhvillimet demokratike shqiptare, tha se Shqipëria mbetet vendi i një rëndësie tejet të veçantë për Gjermaninë. Z. Lammert cilësoi bashkëpunimin mes dy parlamenteve, të një niveli shumë të mirë dhe falënderoi në mënyrë të veçantë rolin e kryetares së Kuvendit për rritjen e këtij bashkëpunimi. “Mendoj që me hapjen e zyrës së këtij fondacioni ne do të kemi mundësi të rilidhim traditën e miqësisë sonë mjaft të mirë në të mirë të të ardhmes së dy vendeve. Bundestagu, një vit më parë, ratifikoi MSA-në duke dhënë një mesazh mjaft të qartë, duke sinjalizuar kështu mjaft qartë dhe dallueshëm që Shqipëria ka një perspektivë evropiane. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duhet të ketë dhe një perspektivë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - u shpreh kryetari i Bundestagut gjerman.