E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, Lohan takon Berishën, Withers tek Rama

Ngërçi politik i krijuar në vend, për shkak të bojkotit të opozitës në Parlament, ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët, konkretisht ambasadorët e huaj në Tiranë. Drejtuesit e dy partive kryesore në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama, pothuajse në orë të njëjta pritën paraditen e djeshme diplomatët e KE-së dhe SHBA-së. Lideri i mazhorancës, Berisha, priti në zyrë ambasadorin spanjoll, Montobio, në cilësinë e vendit që mban Presidencën e BE-së dhe ambasadorin e Komisionit Evropian, Helmuth Lohan. Berisha në një tjetër aktivitet foli opër takimin me ambasadorët: “Ka patur tërësisht një subjekt krejtësisht tjetër dhe nuk ka patur asnjë lidhje me temën, për të cilin ju bëni fjalë. Përsa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë ju, se ne që nesër do ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë. Ka një rezolutë, kërkesat e të cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj hezitimi. Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtoj rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi dhe të zbatojmë. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar, është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama”.
Edhe takimi mes kreut të PS-së dhe ambasadorit Withers u shoqërua nga mungesa e pranisë së mediave, ndërkohë që ky i fundit, fare shkurt, pohoi për mediat se e kishte pyetur Ramën për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Thjesht donim të bisedonim për kthimin e tij nga SHBA-të. Shpresoj që ai kaloi një udhëtim të mirë dhe besoj se ka qenë vërtet kështu”, - iu përgjigj Withers interesit të medias për temën e bisedës me kryebashkiakun e Tiranës. Megjithatë, mësohet se ndërkombëtarët kanë kërkuar që kriza politike të zgjidhet me dialog në tryezën e Presidentit dhe jo në rrugë të tjera. Gjithsesi, ditët e fundit, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë intensifikuar takimet mes dy liderëve kryesorë të partive politike për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik, në të cilin ndodhet vendi, si pasojë e refuzimit të hyrjes së opozitës në sallën e Kuvendit.
Takimet zhvillohen vetëm pak ditë pas takimit që dy diplomatët e lartë zhvilluan me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për zgjidhjen e krizës politike në të cilën ndodhet vendi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit Evropian miratoi javën e kaluar rezolutën me të cilën e konsideron situatën në Shqipëri si një krizë të rëndë e serioze dhe kërkon zgjidhjen sa më parë të saj. Liderët e të dyja palëve kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e deritanishme. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se është i gatshëm për dialog, porse kutitë e votimeve nuk do të hapen, gjë që e ka përforcuar edhe rezoluta e Këshillit të Evropës. Kurse opozita kushtëzon hyrjen në Parlament me hapjen e kutive. Një delegacion i Këshillit të Evropës pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë për t’u angazhuar në zgjidhjen e këtij ngërçi politik, që ka nisur prej afro 5 muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›