E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompleksi i Zenonit dhe Kosova

02/04/2005  Nëse i referohemi teorisë së Zenonit për të përcaktuar ecjen drejt cakut, mund të thuhet se ato që dikush i sheh si „vonesa“ politike (sepse janë pjesë e procesit politik), sollën afirmimin e vlerave për liritë njerëzore, duke realizuar një segment të lirisë njerëzore globale dhe duke e rreshtuar demokracinë e brendshme të Kosovës në krah të demokracisë anglo-amerikane

Akili dhe breshka

Zenoni, njeriu i ditur i antikitetit grek, thoshte se, nëse në një garë vrapojnë disa garues, gjithnjë është i rëndësishëm pozicioni fillestar nga i cili nisen ata. Sipas tij, kjo ndikon drejtpërsëdrejti në rezultatin përfundimtar të vetë garës. Zenoni e zhvilloi teorinë e tij, duke u mbështetur në ekstreme: në njërën anë, ai e mori shembull atë që njihej si vrapuesi më i shpejtë në Greqinë antike, Akilin, kurse në anën tjetër, atij ia vuri përballë breshkën, si simbol të ngathtësisë.

Le ta përfolim me pak fjalë këtë garë, e cila në teoritë e mëvonshme u njoh si kompleksi i Zenonit, para se të provojmë të sjellim argumentin për zhvillimet politike të fillimshekullit XXI. Projeksionin e antikitetit në modernitet.

Akili, luftëtar grek, këmbëlehti i Homerit dhe më i shpejti ndër vrapuesit e asaj kohe, duhej të nisej në një garë vrapimi, duke pasur si kundërshtar atë, me të cilën ai nuk do të dëshironte të hynte asnjëherë në garë: breshkën! Garë e pandershme, apo jo? Fyese, madje, për një vrapues të tillë, që e njihte e tërë bota antike greke? Aspak. Sepse shpikësi i teorive, Zenoni, kishte menduar se si ta bënte garën të denjë edhe për një vrapues si Akili. Duke e njohur ngathtësinë e breshkës, i dha mundësi asaj që të nisej 100 metra para Akilit, ndërkohë që caku ishte i njëjtë për të dy. Punë e madhe, do të thoshte dikush, Akili do ta tejkalonte me lehtësi. Por, nuk është kështu. Së paku, jo sipas teorisë së Zenonit. Sepse, kur Akili të ketë vrapuar 100 metra, breshka do t’i ketë bërë edhe dhjetë metra, kështu që do të ishte dhjetë metra para Akilit, ndërsa kur Akili t’i ketë kaluar edhe dhjetë metrat që i kishte avantazh breshka, ajo do të ketë bërë edhe një metër, e kështu me radhë.

Çka nënkupton kjo? Së pari, se pozicioni fillestar është gjithnjë i rëndësishëm në garë dhe, së dyti (së paku në literaturë), se jeta është udhëtim i pafund dhe nuk mund të arrihet caku, sepse kështu do të humbte kuptimi i jetës. Le të mbetemi te kuptimi i parë, sidoqoftë.

OKB-ja dhe Amerika

Krijimit të OKB-së i parapriu ideja uilsoniane e lirisë globale. “Lidhja e Kombeve”, formacion politik i derivuar nga ideja themelore e tij për shtrirjen e lirisë globale, i parapriu çfarëdo formacioni tjetër, i cili do të themelohej për këtë qëllim: t’i mbronte liritë njerëzore dhe të shtrinte filozofinë politike, e cila do ta ketë këtë dimension brenda saj. Por, formacioni që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) nuk mundi ta luajë asnjëherë këtë rol, sepse brenda strukturës së saj u prodhuan pozicionime fillestare, ndonjëherë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra për shtrirjen e lirisë globale. Dhe, nëse llogarisim se, sikundër thoshte Paskali, e vërteta në njërën anë të Pirinejeve nuk është e vërtetë edhe në anën tjetër të Pirinejeve, lëvizja politike globale duhet të ketë gjithmonë një dimension të sprovuar politik për të pasur sukses. OKB-së i ka munguar kjo tradicionalisht. Mes shkakut dhe pasojës ekziston gjithnjë një ndryshim. Ajo që i mungonte Kombeve të Bashkuara ishte dimensioni që ajo kishte provuar ta tjetërsonte vazhdimisht, morali politik. Nëse SHBA-ja ishte prijës i shtrirjes së lirisë globale, kjo nënkupton se ruajtës i lirisë globale mund të jetë vetëm ai që paraprakisht e ka njohur dimensionin praktik të saj, që e ka themeluar atë. Nëse i kthehemi kompleksit të Zenonit, rrjedh se përgjegjësitë që ia atribuon vetvetes administrata e Kombeve të Bashkuara janë moral i tjetërsuar. Gara për ta përfshirë atë në themel të filozofisë së saj është e predestinuar të jetë e dështuar, sepse në këtë garë, ajo është nisur më vonë. Po t’i shtojmë kësaj edhe ngathtësinë e veprimeve të saj, për shkak të interferencave politike të vendeve që janë pjesë e saj, së paku e atyre që janë pjesë e Këshillit të Sigurimit, duhet besuar se lirinë globale dhe rendin e ri botëror, të përfaqësuar nga Presidenti i SHBA-ve të fillimshekullit XXI, Udrou Uilson, mund ta mbrojë ai që e njeh dimensionin human të asaj lirie.

Pozicionimi fillestar politik dhe Kosova

Në Kosovë, në vitet e fundit të shekullit XX, është zhvilluar një lëvizje politike, e cila e njihte këtë dimension të lirisë globale. Duke e ndërtuar një filozofi politike, si derivat të një lëvizjeje morale politike, ajo e ka projektuar pozicionin e saj në lëvizjet globale të lirisë njerëzore. Karshi saj, është zhvilluar një politikë e frustuar politike, sidomos nga fqinjët e saj veriorë, të cilët për shkak të dimensionit human që bartte në vete filozofia politike e shqiptarëve të Kosovës, u renditën në e krahas hegjemonive politike. Kësisoj, prodhimi mendor dhe politik i tyre ishte përpjekje për ta ndrydhur lirinë njerëzore. Rrjedhimisht, politika e tyre mori dimension të politikës së frustuar, e cila nuk njeh racionalitet në veprime, as moralitet në programet politike.

Nëse i referohemi edhe një herë teorisë së Zenonit për pozicionin fillestar dhe për rezultatin përfundimtar të garës si përçapje për të përcaktuar ecjen drejt cakut, mund të thuhet se „vonesat“ politike (sikur ka dëshirë t’i quajë dikush lëvizjet politike paqësore, duke harruar se ajo është proces jo thyerje, „revolucion i përnjëhershëm“ politik), ky proces politik, pra, solli afirmimin e vlerave njerëzore për liritë humane, duke realizuar jo vetëm një segment të lirisë njerëzore globale, por edhe duke e rreshtuar këtë filozofi politike në radhën e demokracive më të avancuara politike, para së gjithash në krah të demokracisë anglo-amerikane, me të cilën ka shumë pikëprekje dhe fare pak ndryshime, për aq sa këto „ndryshime“ janë të derivuara nga tradita politike dhe kulturore e vendeve të ndryshme që përqafojnë filozofi të ngjashme politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›