E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pedagogëve, shtyjeni disa ditë grevën

02/04/2005  Ministri i Shtetit, Bello: Studimi i pagave të administratës pritet të firmoset nga ministrat

Pedagogët dhe punonjësit e administratës dje duhet të kishin nisur grevën. Një letër e ministrit të Shtetit, Marko Bello, postuar drejtuesit të grevës, Ismail Hoxhës, ka bërë që nisja e protestave të shtyhet edhe disa ditë. “Qeveria ka bërë një studim për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, i cili i ka shkuar Ministrive përkatëse për miratim. Disa ministri e kanë firmosur, disa të tjera ende jo. Por, dhënia e OK është çështje ditësh edhe nga ministritë e tjera”, ka siguruar ministri Bello, pedadogun Ismail Hoxha. Në këto kushte, pedagogët dhe punonjësit e administratës kanë vendosur që të presin dhe disa ditë dhe nëse nuk marrin përgjigje pozitive, do të rinisin grevën. “Do të presim një javë, ja deri 10 ditë, por ky është lëshimi i fundit që i bëjmë qeverisë, nëse përsëri rritja e pagave të punonjësve të administratës nuk do të merret përsipër që të bëhet nga buxheti do të rinisim grevën”, thotë Hoxha.

Greva e dhjetorit

Marko Bello ka kryesuar grupin e punës së ngritur nga qeveria për këtë qëllim. Më 14 dhjetor u ndërpre greva e punonjësve dhe pedagogëve të Arsimit të Lartë. U vendos që punonjësit e administratës të hynin në piramidën e pagave të administratës qendrore, pra të paguhen sipas statusit të nëpunësit civil. Kjo rritje page, për këto dy-tre muaj do të përballohet nga të ardhurat dytësore, ndërsa me përfundimin e studimit të pagave në muajin mars, ata do të hynin në piramidën e punonjësve të administratës qendrore. Ndërkohë që të rriteshin pagat e pedagogëve, parlamenti miratoi 600 milionë lekë shtesë për buxhetin e vitit 2005. Që në këtë kohë pedagogët deklaruan se, nëse rritja e pagave të punonjësve të administratës nuk merret përsipër nga buxheti i shtetit, pedagogët do të rinisin përsëri grevën pa afat.

Studentët paguajnë pedagogët

Por as 600 milionë lekët nuk mjaftuan për pagat e pedagogëve. Deri 10 për qind të rritjes së pagave të tyre përballohet gjithashtu nga të ardhurat dytësore. “Gati 95 për qind e të ardhurave dytësore sigurohet nga taksat e studentëve dhe ne nuk mund të pranojmë që studentët të paguajnë rrogat tona. Kështu që dhe kjo është një pikë që kërkon zgjidhje”, thotë Hoxha.

Investimet në Universitete: Zero

“Këtë vit nuk është caktuar asnjë zë nga buxheti për investimet në Universitete”, thotë Hoxha. Po kështu as të ardhurat dytësore që duhej të përdoreshin për këtë qëllim, përdoren për paga. Në këto kushte, pedagogët shprehen se të gjitha objektivat e grevës së tyre janë realizur përgjysmë.

Urdhëra, që pengojnë autonominë financiare

Të ardhurat e vet universiteteve janë rreth 12 milionë, që kryesisht mblidhen dhe përdoren më pas për të mbajtur sistemin part-time dhe specializimet pasuniversitare.

Urdhëra të çuditshëm për autonominë

Të ardhurat dytësore duhet të përdoren për të investuar në universitete si për pajisjet didaktike dhe për pajisjet që duhen për kërkimin shkencor dhe jo për paga. Sipas protokollit të nënshkruar në fund të grevës së pedagogëve, Universitetet për fondet e veta të miratuara apo të krijuara, do t’i kryejnë vetë procedurat e prokurimit. Kjo do të shmangte vonesat në prokurimin e fondeve, me qëllim mirëfunksionimin dhe realizimin e misionit të shkollave të larta. “Është thënë që kemi fituar autonominë financiare, por, herë pas here, na vijnë urdhëra nga më të çuditshme nga ministria që na pengojnë”, thotë profesor Ismail Hoxha. Ndërkohë, një pjesë e këtyre fondeve përdoret për të përballuar orët shtesë të pedagogëve, kryesisht të sistemit part-time, që bëjnë mësim të shtunë, të diel. “Do të bëjmë një mbledhje të kolegjit të profesorëve, apo të Konferencës së Rektorëve dhe do të shohim se çfarë është arritur nga protokolli i nënshkruar në dhjetor dhe çfarë s’është arritur. Por, objektivi ynë rritja e investimeve në arsimin e lartë s’është realizuar”, thotë Hoxha.

Të dhënat

1000 punonjës të administratës, rritja e pagës 50%, paguhet nga të ardhurat dytësore

2000 pedagogë, rritja nga 20-60%

6 milionë $ efekti financiar i rritjes së pagave të pedagogëve

10 milionë $ të ardhurat dytësore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›