E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna Kukur përmendore për 9 ushtarakët amerikanë

13/04/2005  Vendos këshilli komunal

GRAMSH - Këshilli i komunës Kukur, 10 ditë pas tragjedisë së avionit amerikan, të rrëzuar në malin e Rovjes, ka vendosur të ngrejë një lapidar për 9 ushtarakët, që humbën jetën në një përplasje në zonën malore të Gramshit. Banorët e përjetuan mjaft këtë ngjarje, aq sa në natën e aksidentit nisën të rinjtë e fshatit për të kërkuar të mbijetuar. Ndërkohë gjatë qëndrimit të ushtarakëve në malin e Rovjes, pas tragjedisë së ndodhur, ata ndihmuan me ushqime dhe u bënë udhërrëfyes.

Në një mbledhje të këshillit të komunës Kukur, ku të pranishëm ishin të gjithë këshilltarët, kryetari i komunës, Luan Bega, propozoi edhe ngritjen e memorialit. U vendos kështu një lidhje historike midis ngjarjes së rëndë dhe popullit shqiptar, i cili iu bashkua dhimbjes së familjeve që humbën bijtë e tyre. Memoriali do të pëkujtojë në kohë përplasjen e avionit amerikan, pjesë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Bega, në propozimin e tij për këshillin e komunës, kërkoi ngritjen sa më shpejt të këtij lapidari me një vlerë prej 150 mijë lekësh.

Tragjedia e 31 marsit, ku gjatë një stërvitjeje të përbashkët mbetën të vdekur nga përplasja e avionit 9 ushtarakë amerikanë, është cilësuar si ngjarja më e rëndë e regjistruar nga forcat amerikane në Shqipëri. Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që sollën përplasjen e avionit, por defekti i tij ishte përjetuar nga një pjesë e mirë e Shqipërisë së Mesme, banorët e të cilës e kishin vërejtur fluturimin e ulët të avionit ushtarak, i cili fatkeqësisht u përplas në malin e Rovjes, mbi 1500 metra mbi nivelin e detit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›