E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti nga qyteti në fshat, tani me furgonë

13/04/2005  Miratohet ligji që u njeh furgonëve të drejtën e transportit të udhëtarëve në linjat rrethqytetase

Pronarët e furgonëve 8+1 nuk do të bëjnë më “sherr” me shoferët e linjave të autobusëve për transportin jashtë qytetit. Komisioni i Tregtisë dhe Prodhimit ka vendosur të miratojë projektligjin e Ministrisë së Transporteve për t’i kaluar këto automjete në linjat rrethqytetëse. Me fjalë të tjera, furgonët do të kenë ekskluzivitetin e transportit të udhëtarëve mes bashkisë dhe komunave, por jo mes dy bashkive. Kështu, furgonët e Tiranës do të licensohen për aktivitetin e transportit që çon udhëtarët nga Tirana në të gjitha komunat që varen nga Bashkia e Tiranës. Por kur vjen fjala për të shkuar në Vorë, e cila ka bashkinë e vet, ndryshon puna. Bashkia e Tiranës nuk ka të drejtë t’u japë licensa për këtë itinerar, pasi ai quhet transport ndërqytetas dhe jo rrethqytetas. Ministria e Transportit ka dorëzuar dje në Komisionin e Tregtisë dhe prodhimit ligjin me ndryshimet e nevojshme, duke kërkuar miratimin e tij. “Gjatë zbatimit në praktikë, si rrjedhojë e licensimeve të pakontrolluara dhe e konceptit të gabuar dhe jo të ligjshëm, furgonët 8+1 gjatë aktivitetit si mjet transporti ndërqytetas krijuan konflikte me linjat urbane”, bëri të ditur drejtori i Transportit në Ministrinë e Transporteve. Duke dhënë shpjegime për deputetët e këtij Komisioni, specialisti i Ministrisë së Transporteve ka kujtuar se prej disa kohësh i është deleguar nga ana e Qeverisë Pushtetit Vendor kompetenca për të dhënë licensa për transportin rrugor. Kjo do të thotë se janë bashkitë ato që caktojnë normat e nevojshme, numrin e taksive dhe vendosin raporte normale mes fluksit të udhëtarëve dhe mjeteve në dispozicion, veturave 4+1 dhe furgonëve 8+1. Por duket se, edhe pse kompetencat kanë qenë të mbledhura në një dorë, nuk është bërë e mundur të evitohet amullia dhe konflikti mes pronarëve të linjave ndërqytetase dhe furgonëve.

“Lindi një konkurrencë e ashpër dhe e pakontrolluar nëpërmjet autobusëve që veprojnë në këto linja dhe furgonëve që abuzojnë”, pranoi specialisti në Ministrinë e Transportit. Për të zgjidhur situatën e krijuar dhe për të cilën sindikata e transportit ka zhvilluar një sërë grevash, Ministria e Transportit kërkoi ndryshimet e nevojshme në ligjin për transportin publik, duke i krijuar një hapësirë të re dhe të ligjshme pune furgonëve. Kështu, Ministria për të bërë të kënaqur të dyja palët, kanë kërkuar ndryshime në ligjin e transportit publik, që lejojnë furgonët të vazhojnë punë atje ku është më e përshtatshme. Ndryshimi i parë i propozuar në projekt është bërë për të krijuar një hapësirë të përshtatshme për furgonët 8+1 në tregun e transportit të udhëtarëve. Ky ndryshim lejon përdorimin e furgonëve 8+1 në linjat rrethqytetase, duke përjashtuar përdorimin e tyre në linjat ndërqytetase, që lidhin dy bashki të të njëjtit rreth. Nisur nga fakti se infrastruktura mes komunave dhe bashkive është e dobët, furgonët janë mjetet më të përshtatshme për të kryer transport udhëtarësh. “Me këtë ligj, jo vetëm plotësohen kërkesat e popullatës për të patur linja fikse, por dhe u krijohet një hapësirë e re e ligjshme pune për furgonët 8+1”, ka deklaruar drejtori. Hapja e një tregu të ri pune për furgonët, qetëson disi dhe pronarët e taksive, të cilët janë ankuar se konkurrohen në mënyrë të padrejtë nga furgonët. Bashkia e Tiranës ka përcaktuar numrin e taksive që mund të qarkullojnë në kryeqytet dhe që është mesatarisht 1 taksi për 1 mijë persona. Duket se për furgonët, Bashkia ka qenë më e kursyer, pasi numri i furgonëve të licensuar në kryeqytet është rreth 50 furgonë.

50 furgonë brenda kryeqytetit

100 taksi për 100 mijë persona

Ndryshimet në ligjin për transporin publik

Neni 17

Transporti ndërqytetas, rrethqytetas dhe brenda qytetit kryhet nga shoqëri ose persona fizikë, në përputhje me ligjin brenda afatit të përcaktuar dhe me licensë

Shoqëritë duhet të kenë një ose disa linja të rregullta si dhe një numër të caktuar automjetesh. Transporti rrethqytetas, me përjashtim të transportit mes dy bashkive, mund të përdorë dhe mjete 8+1. Kushtet dhe rregullat përcaktohen në udhëzimin e Këshillit të Ministrave.

Neni 19

Rrjeti i linjave dhe orareve brenda një qarku miratohet nga Këshilli i Qarkut. Licensa për linjat jepet nga kryetari i Këshillit Bashkiak, ku ka selinë subjekti transportues.

Neni 35

Këshilli bashkiak ose komuna përcakton numrin maksimal të taksive furgon në territorin e vet, duke respektuar kriteret dhe standardet e miratuara nga ministria.

Neni 36

Këshilli bashkik ose komuna përcakton çmimet ose tarifat e diferencuara brenda juridiksionit të vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›