E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komuna Labinot-Fushë 60 shtëpi të pabanueshme

02/03/2005  Shembet kanali, bllokohet rruga Elbasan-Cërrik

ELBASAN - Kanali i “Naum Panxhit”, i ndërtuar 40 vjet më parë, përgjatë segmentit rrugor Elbasan-Cërrik, nuk e ka mbajtur peshën e dherave dhe gurëve të rëna nga cepi i kodrës, ku ishte ndërtuar duke u shembur totalisht. Shembja e tij ka bllokuar aksin rrugor nacional për disa orë. Ndërmarrja e Ujërave ka ndërmarrë pastrimin e rrugës, duke e bërë atë të kalueshme në një drejtim, ndërsa automjetet kanë kaluar me vështirësi në këtë aks për shkak të rrugës së rrëshqitshme nga uji e dherat. Rrëshqitje janë regjistruar dhe në dy fshatra të tjerë të komunës Labinot Fushë, e cila tashmë ka përgatitur një relacion të detajuar për fshatin Godolesh, ku janë kthyer në të pabanueshme më shumë se 30 shtëpi. Ndërkohë në fshatin Griqan të kësaj komune janë regjistruar rrëshqitje të tjera të dheut, duke dëmtuar më shumë se 20 shtëpi. Kryfamiljarët e tyre kanë lajmëruar në komunë për dëmtimin e këtyre banesave, duke rritur edhe numrin e banorëve të dëmtuar nga rrëshqitja në zonën e Labinotit. Po kështu, në Griqan, një shtëpi është shembur totalisht, ndërsa 5 të tjera kanë paraqitur dëmtime të konsiderueshme. Fenomeni rrëshqitje është kthyer në shqetësim për banorët e zonave kodrinore dhe malore në rrethin e Elbasanit. Një vit më parë, rrëshqitjet dhe shembjet zhdukën një lagje të tërë në fshtin Cërunjë, të komunës Funar, ndërsa rrëshqitje të dheut janë regjistruar edhe në rrethin e Librazhdit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›