E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna aprovoi shtrenjtimin e biletave të transportit publik

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 17:15

Këshilli i drejtorëve të Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e sotme të cilën e udhëhoqi kryetari Isa Mustafa, mori vendimin për ndryshimin e çmimores për transport publik të linjave që operojnë brenda dhe në periferinë e qytetit të Prishtinës.

Ndryshimi i çmimores u arsyetua nga Agim Dibrani, drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim Lokal, i cila tha se “duke u bazuar në ndryshimin e faktorëve që kanë ndikuar në çmimoren e tanishme të transportit, si ngritja e çmimit të karburanteve, të mirëmbajtjes e automjeteve dhe të pjesëve rezervë, i propozoj bordit të shqyrtojë kërkesën e Sindikatës së Operatorëve të Transportuesve Publik, për ndryshimin e kësaj çmimoreje”.

Nga data 1 shkurt 2011, çmimi i buletës për zonën e parë do të ngritët nga 0.30 euro në 0.40 euro. Në zonën e parë hyjnë linjat: 3, 3A, 3C, 4, 5, 5A, 6, 6A, 7 dhe 7A.

Ndërsa çmimi i biletës për transportin në zonën e dytë ku hyjnë linjat Prishtinë-Fushë-Kosovë, Kastriot, Kishnicë, Bërnicë, Bardhosh, Shushicë (Shashkoc), Llapna Sellë, Hajvali, Grashticë, Lugar-Makovc, do të jetë nga 0.40 euro në 0.50 euro.

Kurse në linjat e zonës së tretë, që përfshin linjat Prishtinë-Mramuer, çmimi i buletës nga 0.60 euro do të ngritët në 0.80 euro, Prishtinë-Lluzhan, nga 0.50 euro çmimi do të jetë 0.70 euro, Prishtinë-Koliq, çmimi do të rritet nga 0.60 euro në 0.80 euro, dhe Prishtinë-Rimanishtë, çmimi i buletës do të jetë nga 0.50 euro në 0.70.

Çmimi i biletave do të rritet edhe për linjat e zonës së katërt ku hyjnë linjat: Prishtinë-Viti e Marecit, Hjakobillë, Gllogovicë, Sharban dhe Keqekollë-Ballaban, ku çmimi nga 1.30 euro do të ngritët në 1.50 euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›