E Shtunë, 31 Tetor 2026

MacShain: Marty, një gazetar sensacionalist i zoti

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 17:55

Ish-ministri britanik, Denis MacShain, ka thënë se Dick Marty nuk e përfaqëson Zvicrën e as Këshillin e Evropës dhe se raporti i tij nuk ka asnjë dëshmitarë dhe asnjë pikë dëshmie. Ai e ka quajtur Martyn një gazetar sensazionalist të zotin. Këto komente MacShain i bëri të hënën pas takimit me kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast ka thënë se Dick Marty është jurist me profesion, por vepron qind për qind si politikan me ngarkesë të madhe të armiqësisë ndaj Kosovës.

MacShain ka thënë se Marty është një vetë-publicist i shkëlqyer dhe natyra sensacionale e akuzave të tij nënkuptonte se ato do të dilnin në faqe të parë të shumë gazetave.

Por, kjo sipas tij, është vetëm sensacionalizëm dhe se mendimet e Martyt janë të ngjashme me të Serbisë dhe të Rusisë.

“Dick Marty është jurist me profesion dhe në atë raport ai vepron 100 % si politikan me një ngarkesë të madhe të armiqësisë ndaj Kosovës dhe nëse ju e lexoni raportin ai në të vërtetë argumenton se në vitin 1999 Millosheviqi do të duhej të vazhdonte të dërgonte togjet e tij vrastare për të masakruar myslimanët, qoftë në Kosovë, ose siç u tha më herët, në Srebrenicë. Ai është mendim i Martyt, ai ka të drejtën ta thotë mendimin e tij. Edhe Rusia mendon ashtu”, ka thënë MacShain.

Ish ministri britanik ka theksuar se Britania e Madhe dëshiron ta shoh një Kosovë të pastër të ndershme, ku nuk akuzohet e ardhmja.

Ndërsa, kryeministri ne largim i Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me raportin e Dick Martyt, ka theksuar se këto shpifje duhet të hetohen deri në fund.

“I kam dërguar letër Këshillit të Evropës, me një mbështetje të plotë që gjërat të shpifura të prezantuara në raportin e Dick Martyt, të investigohen deri në fund. i kemi dhënë mbështetje të plotë autoriteteve të EULEX-it. Kosova është shtet ligjor. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj i besojmë drejtësisë”, është shprehur Thaçi.

Me ish ministrin britanik, Thaçi ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me ç’rast ka thënë me këtë rast se fokusi i institucioneve të Kosovës është ndërtimi i një Kosove demokratike, vend i sundimit të ligjit, i një shoqërie shumetnike.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka shprehur mirënjohje për ish ministrin MacShain dhe për qeverinë britanike për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë procesit të lirisë së Kosovës, demokratizimit të saj, bërjes së Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe procesit të njohjeve.

“Kosova si vend i pavarur sot prodhon më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe frymë euroatlantike dhe në të ardhmen do të jemi pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian, si një vend i një perspektive të sigurt, demokratike, zhvillimore, mirëqenies sociale, pra, një vend i një modeli perëndimor”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, ish ministri MacShain ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për të ardhmen evropiane të Kosovës. Ai ka thënë se politikanët britanikë, qeveria e re dhe qeveria e kaluar dëshirojnë të shohin se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin shtetin e Kosovës dhe dëshirojnë të inkurajojnë investimet normale afariste në Kosovë dhe një udhëtim normal të turistëve.

Ai po ashtu ka folur edhe për bisedimet e pritura mes Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se duhet gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë për shkak se edhe për Serbinë, rruga për në Bruksel kalon nëpër Prishtinë.

Sipas tij, edhe e ardhmja evropiane e Serbisë mban një pikëpyetje të madhe prapa, përderisa nuk ka një marrëveshje dhe një pranim të Kosovës nga ana e Serbisë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›