Vetëvendosje tërheq ankesën kundër TV Mitrovicës
Derisa ditën e rivotimit Lëvizja Vetëvendosje është ankuar se TV Mitrovica e ka thyer heshtjen zgjedhore me emetimin e të fjalimeve të kryeministrit në largim dhe kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë ditës së hënë ky subjekt politik e ka tërhequr ankesën e saj nga PZAP-ja për këtë medium.
Nëpërmjet një komunikate për media Vetëvendosje sqaron se shkeljen e TV Mitrovicës e kishte dje, pasi ky televizion e kishte shkelë Nenin 52 par. 1 të Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
“Ky nen ndalon rreptësisht çfarëdo lloj propagande mediatike partiake gjatë ditë së zgjedhjeve. Menjëherë pas ankesës sonë, TV Mitrovica mori masat e duhura dhe përjashtoi nga puna teknikun përgjegjës, i cili duket që ishte i infiltruar i PDK-së brenda këtij televizioni”, njofton Vetëvendosje.
Ky akt edhe ka ndikuar që ta bind Vetëvendosjen se nuk ka qenë problemi te vetë televizioni si i tillë, por te keqpërdorimi që PDK-ja ia ka bërë TV Mitrovicës.
“Kjo është arsyeja pse Vetëvendosje e tërheq ankesën e vet nga PZAP. Ne nuk duam që ky televizion të ngarkohet me gjoba të papërballueshme për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ai gjendet, vetëm pse një parti politike e ka keqpërdorur pa dijeninë e stafit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Më tutje, ky subjekt politik thotë se mirëpret kërkimfaljen dhe vendimin e menjëhershëm të TV Mitrovicës për largimin nga puna të teknikut të saj, pasi që kjo do t’i ndihmojë televizionit për konsolidimin e paanësisë, objektivitetit dhe pavarësisë.
“Po ashtu nuk mendojmë që nëpërmjet kësaj ankese t’i kemi kontribuar papunësisë edhe ashtu të madhe në Kosovë. Teknikët e këtillë të papërgjegjshëm ndaj televizionit, duke qenë të përgjegjshëm ndaj partisë, zakonisht e kanë një rrogë rezervë”, vlerëson Vetëvendosje.