E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Komunat në Shosh ende të izoluara”

10/02/2005  Flet shefi emergjencave në Prefekurën e Shkodrës

SHKODËR - Situata në Qarkun e Shkodrës, pas asaj emergjence të pa ndodhur që prej dy dekadash, duket se ka shkuar drejt normalizimit, megjithëse disa komuna në Shosh, vazhdojnë të jenë të izoluara. Megjithatë përsëri ka zona të bllokuara, të cilat kanë nevojë që të ndiejnë pranë ndihmën e shtetit shqiptar. Në lidhje me situatën, shefi i informacionit pranë Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës, Pëllumb Dani, ka dhënë një prononcim për gazetën "Metropol".

A mund të themi se tani kemi një kalim të emergjencës që përfshiu Qarkun e Shkodrës?

Sipas informacioneve që kemi, mund të themi që po për shumicën e komunave që ishin të bllokuara nga dëbora. Tashmë janë të zhbllokuara të gjitha rrugët nacionale, si edhe pjesa më e madhe e rrugëve rurale që të çojnë në komunat e thella. Por duhet të theksoj se kalimi i automjeteve po mbahet nën kontroll nga policia, sepse ngricat krijojnë herë pas here shtresa të holla akulli dhe është dhënë udhëzimi që patjetër shoferët duhet të pajisin rrotat e makinave me zinxhir.

A ka përsëri komuna të izoluara?

Megjithëse është punuar dhe po punohet intensivisht, për hir të së vërtetës duhet thënë se komunat Shalë e Shosh të rrethit Shkodër janë ende të bllokuara. Sipas informacionit që kemi marrë, fadromat kanë pastruar dëborën deri në 8 km afër komunës Shoshë dhe së shpejti pritet që edhe këto komuna të zhbllokohen nga dëbora. Përveç këtyre në rrethin e Pukës është bllokuar komuna Iballë, por edhe atje borëpastrueset po punojnë ditë e natë dhe i janë afruar ndjeshëm lirimit të rrugës që të shpie në atë komunë.

Si paraqitet gjendja shëndetësore në këto komuna dhe a ka personel mjekësor atje?

Këto ditë nuk kemi pasur reklamim të ndonjë të sëmuri problematik. Kjo ndoshta edhe për shkak se janë marrë masa nga shefi i shëndetësisë dhe në këto komuna është dërguar personel mjekësor, ku bëjnë pjesë ndihmësmjekë, infermierë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›