E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngërçi i hartës elektorale

10/02/2005  Vjeshtën e kaluar, dy partive kryesore u kishte ngelur gozhda në një pikë: balancimi i KQZ-së. Nuk u la gur pa lëvizur, përfshi edhe konsultimet me OSBE-në e Tiranës, e, më në fund, pas presionesh të shumta, u gjet rruga më e shkurtër: u hoq një anëtar i KQZ-së, që ende nuk i kishte mbaruar mandati, veprim që mund të përkthehet: u ra dakord të shkelej Kushtetuta.

E njëjta gjë po ndodh me përcaktimin e hartës elektorale, dhe përfaqësuesit e OSBE-së, në rolin e negociatorit, janë duke i ngatërruar punët edhe më.

Politika shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e acaruar dhe kjo e ka detyruar opinionin e brendshëm (bile edhe organizmat ndërkombëtare kanë “investuar” në këtë mes) që të pranojë çdo lloj kompromisi që bëjnë PS-ja e PD-ja, edhe kur injorojnë hapur ligjet apo institucionet e vendit. Le të marrim rastin në fjalë.

Rruga më logjike për të miratuar hartën elektorale është parlamenti: çdonjëra parti ofron variantin e saj, diskutohet e stërdiskutohet, hidhen e priten ide e batuta, dhe në fund bëhet votimi për të përcaktuar variantin më të pëlqyer nga deputetët. Çfarë ka që partitë tona i shmangen kësaj rruge në këtë rast? Pse për disa çështje kërkohet me doemos që të ketë konsensus (që do të thotë të vemi kokëulur tek OSBE-ja) dhe për disa të tjera të vendosë vota? Dhe paradoksi: po PS-ja pse në fillim pranoi t’i futej valles së konsesusit, e në fund doli mbrojtëse e Kushtetutës?

Kuptohet që opozita është në minorancë, mund thuhet se kartonat e tyre nuk kanë asnjë farë vlerë; duke e nxjerrë kundërshtarin nga strofkulla e kartonave të parlamentit, ajo i luan jo keq kartat e veta.

Ndërsa lëvizjet e pozitës, duke e ditur që ka mizën nën kësulë, janë të çoroditura, dhe të kompleksuara. Në qoftë se i shikojmë gjërat nga ana proceduriale, pra, në qoftë se harta elektorale bëhet jo me konsensus, por me debat të ashpër dhe në fund me votim të deputetëve, këtu nuk ka asnjë shkelje. Përderisa opozita dhe pozita e respektojnë parlamentin shqiptar gjatë katërvjeçarit, nuk ka pse t’u duket sakrilegj ta respektojmë vendimin e tij edhe për hartën elektorale. Por, këtu ka një problem, dhe ky problem ndodhet te pozita.

Duke qenë e ndërgjegjshme se ato që fliten për vota të vjedhura në vitin 2001 janë të vërteta, pozita shqiptare ka frikë nga forca që zotëron. Futja në diskutimet e varianteve të OSBE-së për përcaktimin e hartës elektorale dhe pastaj tërheqja pa pranuar asnjërin, e aq më tepër që thekson se do të votojë variantin e saj, tregon se PS-ja ka hyrë në këtë “konsensus” me paragjykime: në qoftë se programi i OSBE-së do të kënaqte interesat e saj, atëherë ajo dilte nga takimi me dy fitore, edhe hartën edhe aureolën e partisë së hapur për konsensus; ndërsa, në qoftë se varianti i OSBE-së, siç ndodhi realisht, nuk i vinte për shtat atëherë kthehej te fuqia e kartanova që i ka me shumicë.

Konsensusi, i kërkuar edhe aty ku s’ka pse, e vë demokracinë përpara një dileme: po sikur votuesi ta zgjedhë pozitën me votë dërrmuese – bile edhe të pastër – për legjislatura me radhë, çfarë do të bëhet, do synohet konsensusi për hir të brishtësisë së opozitës? Përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë e dinë përgjigjen, pse kanë parë ç’ndodh në vendet e tyre kur një parti ka shumicë dërrmuese. Demokracia nuk është keqardhje, por luftë dhëmbë për dhëmbë. Për të fituar ka faktorë shumë më të rëndësishëm se një hartë elektorale që edhe vetë opozita nuk e kishte shumë të ndryshme kur fitonte me shumicë dërrmuese, dhe, kur dihet, që humbjet s’i kanë ardhur për faj të formës së hartës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›