E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga të ftohtit braktisin mësimin

10/02/2005  RRËSHEN - Nuk kanë mundur që të durojnë për më tej, në një ambient që vetëm për mësimdhënie nuk është, ndaj në mënyrë kolektive kanë vendosur braktisjen e mësimit. Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur në ndonjë zonë të tejmbushur me borë, por në mesin e qytetit të Rrëshenit, ku në dispozicion të mësimdhënies është vënë një godinë 3 katëshe e rikonstruktuar disa herë. Por megjithkëtë, prej kohësh, sidomos në klasat në anën e pasme të godinës të adoptuar si shkollë, situata është mjaft e rëndë. Duke qenë në një pozicion që në asnjë rast gjatë ditës nuk bien rrezet e diellit, temperaturat janë të pafavorshme për të zhvilluar mësim. Ndonëse gjëndja e rëndë njihet nga drejuesit e shkollës dhe të arsimit të Mirditës, në asnjë rast nuk është bërë e mundur zbutja e këtij problemi, duke mundësuar vendosjen e ndonjë stufe me dru.

Ka qenë një rast në vjeshtë kur nga një donacion i huaj këtyre klasave u janë dhuruar disa stufa me dru, por në asnjë rast nuk u pajisën me tuba për përcjelljen e tymit. Madje, në një rast, në kushtet e një të ftohti të madh, nxënësit kanë ndezur sobën ashtu pa tuba, ndërkohë që në klasë është krijuar një situatë e rëndë nga tymi i shumtë. Pas kësaj nxënësit e vitit të tretë të kësaj shkolle kanë braktisur në mënyrë masive klasën, duke vënë si kusht përmirësimin e kushteve. Ndërsa drejtuesit e shkollës kanë vënë si kusht për t’i pranuar në mësim, vetëm pasi në shkollë të vijnë prindërit e gjithësecilit. Nuk dihet nëse prindërit do të dalin kundër nxënësve, pasi të shikojnë kushtet ku ndodhen fëmijët e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›