Humbi Superkupën, Memushi rrezikon bankinën
Mosfitimi i Superkupës së Shqipërisë (Flamurtari humbi në finale 1-0 me Tiranën, të dielën), mund t’i kushtojë detyrën trajnerit Eqerem Memushi. Sipas zërave që vijnë nga Vlora, tekniku karizmatik, njeriu që i dha pas 17 vitesh një trofe Flamurtarit, pritet të jetë “koka e parë e prerë”. Dështimi i madh me Madhëreullin në Ligën e Europës, ku humbja 8-1 është edhe më e thella e një skuadre shqiptare në Europë, ka shumë gjasa të përkthehet në largimin e shpejtë të Memushit, kur kanë mbetur vetëm pesë ditë nga fillimi i Kampionatit të 71-të Kombëtar i Kategorisë Superiore. Humbja 1-0 në finalen e Superkupës (gol i vlonjatit Arbër Abilaliaj për Tiranën), e sidomos loja e dobët e shfaqur kundër kampionëve në fuqi, i është faturuar më së shumti trajnerit Memushi, për shkak të aktivizimit të disa lojtarëve si Zeqiri e Veliu, të cilët vinin respektivisht, i pari nga impenjimi me Shpresat (në miqësoren me Maltën) dhe i dyti, nga testi (pa sukses) me Sëlltikun e Gllazgout në Skoci. Jashtë listës së lojtarëve mund të jetë edhe sulmuesi i njohur korçar Denis Mema, i cili dha shumë pak në ndeshjen kundër Tiranës dhe kushton jo pak për financat e Flamurtarit.
Sukaj rivishet kuqeblu
Sulmuesi Xhevair Sukaj do të veshë fanellën e Vllaznisë në sezonin e ri futbollistik, që fillon më 23 gusht. Lajmi e bëri të ditur presidenti i klubit shkodran, Valter Fushaj, edhe pse vetë lojtari ishte i rezervuar në prononcimin e tij për mediat. Sukaj, i cili nuk e kaloi provën me Hansa Rostokun në Gjermani e nuk pranoi ofertën financiare të turqve të Bolusporit, do të ishte një përforcim i vlefshëm për Vllazninë, që dështoi plotësisht në merkato me rekrutimin e lojtarëve të huaj. Pr Vllazninë së fundi edhe Ervis Kraja, i larguar nga Laçi pas shkarkimit të trajnerit Edi Martini. Vllaznia do të luajë në javën e parë të kampionatit në transfertë me Besën e Kavajës. Në dy miqësoret e fundit, skuadra shkodrane humbi 0-1 me Laçin dhe barazoi 0-0 me Kastriotin.
Lonçareviç në librin e “artë”
Trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç, me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, u fut në listën e trajnerëve të huaj që e kanë fituar këtë trofe. Më parë atë e kishte fituar hungarezi Miklosh Temeshvari (me Tiranën), rumuni Aurel Cikleanu (me Dinamon), Dervish Haxhiosmanoviç (me Vllazninë), Enver Haxhiadbiç (me Tiranën) dhe Zllatko Daliç (me Dinamon). Tirana fitoi Superkupën, pasi mundi në finale 1-0 Flamurtarin, falë golit të blerjes së re, Arbër Abilaliaj.
18 Gusht 2009