E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH-së: “Kriza ka përfshirë ekonominë, mungesë likuiditeti në shumë sektorë”

Në 7 muajt e parë të vitit qeveria ka mbledhur nga taksat 130 milionë dollarë më pak

Ervin KOÇI

Ekonomia vendase po përballet me një mungesë mjaft të madhe të likuiditetit (parasë kesh) në qarkullim, duke bërë që mjaft sektorë të jenë në prag të kolapsit. Të dhënat më të fundit të publikuara në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një mungesë të parave edhe në rezervën valutore të vendit, kjo e shkaktuar dhe nga marrjet e fundit të parave nga ana e qeverisë për shpenzimet elektorale. Kjo gjë, përveç sektorëve shtetërorë, ka goditur dhe shtyllat e ekonomisë së vendit, si sektorin e ndërtimit, industrisë, bujqësisë dhe eksporteve. Nga ana tjetër, tregu vendas është përballur dhe me mungesën e valutës në treg, çka ka bërë që në përgjithësi raportet e shkëmbimit midis valutave me monedhën vendase të jenë me luhatje të mëdha duke bërë që monedha vendase të jetë e dobët edhe gjatë këtyre muajve të fundit, ku normalisht pritej fuqizimi i saj. Këto luhatje të mëdha kanë sjellë pasoja edhe në çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve, në interesat e kredive bankare për individë dhe biznese, si dhe në vlerën e import-eksporteve. Nga ana tjetër, mungesa e likuiditetit, sidomos te biznesi, ka sjellë bllokimin e aktivitetit të mjaft sektorëve, mungesën e shitjeve, mospagesën e pagave, si dhe mungesën e investimeve.
Por ajo çka është më problematikja ka bërë se e gjithë kjo mungesë likuiditeti, sidomos te biznesi, ka sjellë një normë të lartë të mospagesës së taksave dhe tatimeve, çka automatikisht ka arkëtuar shumë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit, i cili, nga ana tjetër, po përballet akoma më keq me këtë mungesë parash.

Ngërçi në buxhet

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se situata financiare e buxhetit të shtetit po vazhdon përkeqësimin për shkak të tkurrjes së të ardhurave nga taksat. Sipas të dhënave, për 7 muajt e parë të vitit qeveria ka mbledhur nga taksat 130 milionë dollarë më pak nga sa kishte parashikuar në buxhet. Gropën më të madhe e krijon akciza, taksa që u ngarkohet mallrave të forta me rrezikun më të lartë për kontrabandë, si karburantet, cigaret apo dhe pijet alkoolike. Të ardhurat e grumbulluara nga akciza deri në fund të korrikut janë 23 për qind më pak se plani, me një deficit prej 56 milionë dollarësh. Por buxheti ka mbledhur më pak para edhe nga TVSH-ja, taksa që shërben si një tregues i drejtpërdrejtë i nivelit të konsumit në ekonomi. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë qenë 35 milionë dollarë më pak nga parashikimi. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me vetëm 3.3 për qind dhe po të zhvishen nga efekti i inflacionit rritja është vetëm 1 për qind, më e ulëta historikisht.
Shpenzimet

Megjithëse të ardhurat janë qartësisht në rënie, qeveria ka vazhduar politikën e shpenzimeve të larta. Të dhënat tregojnë se rritja e shpenzimeve nuk është e lidhur vetëm me investimet publike, por edhe me mbajtjen e administratës. Sipas të dhënave, investimet për 7-mujorin ishin 7 për qind më shumë se plani, me një tejkalim prej rreth 40 milionë dollarësh. Ndërsa shpenzimet për personelin, ku përfshihen pagat e administratës dhe kontributet që qeveria paguan për sigurimet e tyre, ishin 10.11 për qind më shumë se plani, ose rreth 35 milionë dollarë më shumë. Tkurrja e të ardhurave dhe shpenzimet e larta kanë sjellë thellimin e mëtejshëm të deficitit buxhetor, i cili në korrik arriti 40 miliardë lekë, ose 22 për qind më shumë nga plani i miratuar në Parlament.

Raporti

Kriza globale që ka prekur edhe ekonominë shqiptare ka filluar të tregojë shenja ngadalësimi, por tremujori i dytë i këtij viti ka qenë periudha më e vështirë e saj. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i tendencës ekonomike ka regjistruar një kthesë të lehtë rritëse në tremujorin e dytë të këtij viti pas rënies së theksuar në tremujorin e parë. Sipas BSH-së, treguesi i tendencës ekonomike u rrit me dhjetë pikë gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar nivelin e 81-të, por megjithatë, ai qëndron afërisht 19 pikë poshtë mesatares së tij afatgjatë. Zë për zë Banka analizon treguesit për fushat kryesore të ekonomisë. Në industri balanca e aktivitetit të përgjithshëm të biznesit gjatë kësaj periudhe vazhdon të jetë negative. Negativiteti lidhet me ndikimin e fortë të sektorit të industrisë nga situata e ekonomisë botërore. Ndërkohë vihet re një përmirësim i lehtë në fushën e ndërtimeve. “Vlerësimi i bizneseve të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi megjithëse në përmirësim nga vrojtimi i kaluar edhe për vrojtimin aktual mbetet në nivele të ulëta negative”,- theksohet në raportin e BSH-së. Bizneset e ndërtimit raportojnë se prania e ekonomisë informale është faktori me ndikim më të madh, i cili bëhet pengesë për aktivitetin e tyre. Rreth 59 për qind e bizneseve të ndërtimit raportojnë se kontratat porositëse kanë qenë të mjaftueshme krahasuar me 44 për qind që ishte kjo shifër tremujorin e parë. Shfrytëzimi i kapaciteteve ndërtuese në tremujorin e dytë të këtij viti është në masën 67 për qind.

Rreziku i likuiditetit, si do të administrohet

Rreziku i likuiditetit është rreziku që nënkupton se Banka e Shqipërisë nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimet e lidhura me detyrimet financiare në kohën e duhur. Politikat e monitorimit dhe të adresimit të rrezikut të likuiditetit përcaktohen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. BSH-ja administron rrezikun e likuiditetit nëpërmjet investimit në depozita afatshkurtra në bankat e huaja dhe investime në letra me vlerë të borxhit në tregje likuide dhe të sigurta. Qëndrimi i BSH-së në administrimin e likuiditetit është të sigurojë vazhdimisht likuiditet të mjaftueshëm për të shlyer detyrimet në kushte normale dhe të pafavorshme, pa pësuar humbje të papranueshme apo të rrezikojë të dëmtojë emrin e saj. Në të njëjtën kohë ajo duhet të operojë në përputhje me politikat monetare dhe të këmbimit. Portofoli përcaktohet çdo vit bazuar në parashikimet mujore dhe vjetore të nevojave për likuiditet për çdo monedhë. Investimet në letra me vlerë të borxhit konsiderohen si instrumente me likuiditet të mjaftueshëm. Lidhur me detyrimet në monedhë vendase, BSH-ja nuk është e ekspozuar ndaj këtij rreziku për shkak të karakterit të saj të një banke qendrore.

Rreziku i kreditimit

Rreziku i kreditimit është rreziku i pakësimit të vlerës së rezervës valutore për shkak të paaftësisë paguese ose zvogëlimit të cilësisë së kreditimeve të institucioneve financiare ose emetuesve të letrave me vlerë dhe instrumenteve në të cilat rezerva valutore është vendosur. Ekspozimi ndaj rrezikut të kreditimit administrohet nëpërmjet përcaktimit të kufijve mbi nivelin total të ekspozimit të lejuar ndaj institucioneve financiare dhe emetuesve të ndryshme. Kufijtë e ekspozimit llogariten bazuar në kriteret e kreditimit të kundërpartisë, të cilat janë të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Rreziku i kreditimit gjithashtu zvogëlohet nëpërmjet krijimit të një portofoli të larmishëm. Kreditë për bankat vendase sigurohen nga bonot e thesarit të Qeverisë. Operacionet e BSH-së janë të ekspozuara ndaj rrezikut të normave të interesit i cili ndikon në çmimet e aktiveve interesprurëse (duke përfshirë investimet) dhe detyrimeve që paguajnë interes. Objektivi kryesor i BSH-së është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve duke përcaktuar synimin e politikës monetare. BSH-ja e zbut këtë rrezik duke mbajtur një tepricë të konsiderueshme të aktiveve interesprurëse mbi detyrimet që paguajnë interes.

Ankandi i radhës, dalin në shitje 11 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi të martën për shitje me ankand 11 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 20 gusht, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 e 6-mujor, përkatësisht në shumat 5,650,000,000 lekë dhe 5,350,000,000 lekë, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në 18.08.2010 dhe më 18.02.2010.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›