Komuniteti ndërkombëtar dënon dhunën në Siri

Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar ashpër dhunën në Siri, pas vdekjes së afro 140 personave në protestën e fundit anti-qeveritare.
Aktivistët thanë se të paktën 136 njerëz janë vrarë nga sulmet me tanke të forcave ushtarake.
Në përgjigje të gjakderdhjes së raportuar, Gjermania ka kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në Washington, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se “është tronditur nga brutaliteti i qeverisë siriane kundër popullit të saj”.
Ministria e Jashtme turke ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, duke thënë se Ankaraja “është thellësisht e trishtuar dhe e zhgënjyer, bashkë me gjithë botën islame, nga zhvillimet aktuale në prag të muajit të Ramazanit”.
Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e ka quajtur “të pajustifikuar dhe të papranueshme” gjakderdhjen e fundit, duke shtuar se “forcat siriane të sigurisë kanë për obligim të mbrojnë qytetarët e tyre dhe jo t’i masakrojnë”.