E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID-GODO, kokë më kokë për Qendrat e Shëndetit Parësor

>Drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, Roberta Mahoney dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo evidentuan përparimet e arritura në procesin e reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri, gjatë një ceremonie të organizuar ditën e djeshme në Ministrinë e Shëndetësisë. Si pjesë e kësaj reforme, u paraqitën dy dokumente bazë të politikës shëndetësore, Kuadri i Zhvillimit të Mjekësisë së Familjes dhe Paketa Bazë e Shërbimeve në Kujdesin Shëndetësor Parësor, të cilat synojnë të përmirësojnë  dhënien e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor për qytetarët. Këto dokumente janë zhvilluar nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me organizata partnere, përfshirë Fakultetin e Mjekësisë, Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Akademia Amerikane e Mjekëve të Familjes, Projekti i USAD Pro Shëndetit dhe të tjerë donatorë dhe organizata jo qeveritare. Ashtu si i gjithë procesi i reformës, ato synojnë sigurimin e një pakete gjithëpërfshirëse shërbimesh parandaluese dhe trajtuese për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit. Banorë të zonave urbane dhe rurale do të marrin shërbime të kujdesit shëndetësor mendor dhe të shëndetit riprodhues, si dhe informacion të vazhdueshëm në lidhje me nxitjen e sjelljeve dhe mënyrës së jetesës së shëndetshme. Falë këtyre reformave, të gjithë mjekët e kujdesit parësor në Shqipëri do të trajnohen në programin bazë të Mjekësisë së Familjes, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë programet e specializimit në Mjekësinë e Familjes si dhe programet e edukimit të vazhduar për të gjithë mjekët praktikues. Falë programit të USAID, mbi 650 mjekë janë trajnuar si Mjekë Familjeje. Në muajt e ardhshëm këta mjekë do të marrin dhe certifikimin formal. Ndërkaq Mahoney ka bërë të ditur në fjalën e saj se: USAID është krenar që ka mbështetur reformat në kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri për shumë vite. Sot është kurorëzimi i një procesi të gjatë e të vështirë. Me standarde dhe politika të përditësuara, të cilat në vazhdimësi do të përpiqen të përmirësojnë transparencën, llogaridhënien dhe besimin e njerëzve tek sistemi, Shqipëria ka ndërmarrë një hap domethënës drejt krijimit të një sistemi modern të kujdesit shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›