E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunizmi, Berisha e Rama akuzojnë njëri-tjetrin

 “Sot, pasardhësit direkt të bunkerit që përmbysëm 21 vjet më parë, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesën e tyre, por ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit dhe natyrisht nuk janë rikthyer dot në bllok, por kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij”, theksoi Berisha.

Ai i cilësoi martir të pavdekshëm të gjithë ata që u vranë dh u masakruan nga regjimi komunist. Kryeministri nuk la pa akuzuar edhe kundërshtarin e tij politik, duke e fajësuar atë për bllokimi dyvjeçar të marrjes së statusit të vendit kandidat.

“Këta shokë, ose zotërinj bllokuan për dy vite procesin e integrimit të vendit duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre është më parësore se interesi i shqiptarëve dhe vendit. Këta do kenë ndëshkimin e merituar si paraardhësit e tyre”, tha më tej. Për Berishën, kjo është një datë e rëndësishme që ndan dekadat, atë të shtypjes ekstreme dhe kriminale me atë të lirisë dhe demokracisë. “Evropa ka njohur në historinë e saj diktatorë nga më të ndryshëm, por ajo ka të regjistruar në memorien e vet dy më mizorët, Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri mbi baza racizmi ndërmori krimet më monstruoze, Hoxha si Hitleri pas luftës, organizoi mbi bazën e luftës së klasave terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë”, tha.

Kryeministri deklaroi se në ekspozitë mungojnë mijëra heronj, pasi ata u zhdukën me çdo gjurmë nga regjimi.  “Çfarëdo që të bëjmë ne sot e kemi të vështirë t’i shpjegojmë brezit që vjen ato që përjetoi vendi i tyre, por kurrë nuk duhet të heshtim që kjo të mos mund t’i ndodhë më kombit shqiptar. Ky komb ka historinë e vet, por historia e diktaturës është më e dhimbshme dhe më e pamerituar e kombit shqiptar”, tha më tej.

Rama: Berisha sekretar i Enverit
Kreu socialist, Edi Rama, reagoi në Twitter pas deklarimeve të Berishës.“E turpshme qe 21 vjet pas rrëzimit të monumentit te diktaturës sulmohet egërsisht opozita teksa vendi lëngon mes krizash të keqqeverisjes”, shkruan Rama.

Sipas tij, askush nga ata që e rrëzuan monumentin e Enverit s’e imagjinonte dot që 21 vjet më vonë Shqipëria do mbahej peng nga një sekretar i Enverit.  “Sot kur Shqipëria vuan krizën e menaxhimit të emergjencës KM organizon festa e karnavale me shpinën e kthyer nga mijëra familje të bllokuara”, vijon reagim. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-20 11:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›