E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, kryeministri Thaçi paralajmëron riformatim të qeverisë



Blerina Olldashi

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi ka bërë të ditur ditën e djshme se shumë shpejt do të ndodhë riformatimi i qeverisë, edhe pse paralajmërim për ndryshime ka pasur që prej disa muajsh. Kreu i qeverisë ka thënë se ky proces, që tani ai po e quan reformim e afirmim të qeverisjes, nuk do të ndodhë për shkak të përfundimit të raundit të tretë të zgjedhjeve për kryetar komunash, siç është interpretuar në media. “Unë asnjë proces nuk e kam pasur të ndërlidhur me asnjë proces elektoral lokal. Agjenda shtetërore ka vazhduar suksesshëm për t’u implementuar. Natyrisht që çdo ditë është duke ndodhur afirmimi i energjive të reja në kuadër të qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Thaçi, pas mbledhjes së Qeverisë. “Një afirmim i tillë do të ndodhë edhe në të ardhmen, pasi mund të them se jemi në agjendën më të rëndësishme të vendimmarrjeve jashtëzakonisht të rëndësishme për vazhdimin e qeverisjes së mirë, për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në punë, por edhe për angazhimet e tjera, të cilat janë të domosdoshme në këtë periudhë kohore”. Megjithatë ai nuk ka pranuar të japë një përgjigje se kur do të finalizojë konfiguracion e ri të kabinetit Qeveritar. Ndërsa kryeministri Thaçi foli për energji të reja në ekzekutiv, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Ramë Manaj, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në asnjë rast nuk e ka shqyrtuar rikonfigurimin apo riformatimin e Qeverisë. “Sigurisht që gjithmonë është e dobishme, e nevojshme që performanca e Qeverisë të ngrihet dhe kjo mund të shqyrtohet e rishqyrtohet herë pas here. Por, deri tani, iniciativë formale, në kuptimin juridik të fjalës, procedurale, ende nuk ka. Ne, në Kryesinë e LDK-së, ende nuk e kemi shtruar këtë çështje për shqyrtim dhe vendimmarrje”, tha Manaj. Ndonëse si çështje, ky rikonfigurim është ngritur nga kryeministri Hashim Thaçi dhe është konfirmuar nga të dyja partitë e koalicionit, as kryeministri dhe as udhëheqës të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë në gjendje të shpjegojnë format dhe detajet e këtyre ndryshimeve në ekzekutiv. Thaçi tha se nuk dëshiron ta ndërlidhë rikonfigurimin e Qeverisë me data apo me figura që do të largoheshin apo do të hynin në Qeveri. Por, sipas tij, freskimet në Qeveri po vazhdojnë dhe këtu bëhet fjalë për një proces. E gjitha kjo, sipas tij, ka të bëjë me vazhdimin e qeverisjes, siç e cilësoi ai, të mirë në Kosovë.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›