E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, maturantët e diplomuar jashtë do të japin provim edhe Gjuhën shqipe



Jonida Tashi

Të rinjtë shqiptarë që e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe dëshirojnë që studimet e larta t’i vijojnë në Shqipëri, duhet t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës shqipe. Ky është rregulli i ri që kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur, në mënyrë që këta të rinj të kenë të drejtë për të konkurruar, për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike të vendit. “Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri, me kusht që të zotërojnë Gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare”,- shkruhet në rregulloren e Maturës Shtetërore 2010. Sipas këtij dokumenti, zotërimi i Gjuhës shqipe do të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që do të zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, në Universitetin e Tiranës.
Provimet
Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në universitetet publike, duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2). Sipas Ministrisë së Arsimit, për këta konkurrues, për provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) do të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar. Me urdhër të ministrit të Arsimit dhe, pranë MASH-it është ngritur një komision i posaçëm, për të shqyrtuar kërkesat e kësaj kategorie. Për të nisur garën e konkurrimet në universitetet publike këta të rinj duhet të paraqesin pranë këtij komisioni disa dokumente.
Dokumentet
Në listën e dokumenteve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, për maturantët që e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit përfshihen: kërkesa me shkrim për të vazhduar një program studimi në universitetet publike; Dëftesa origjinale së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; Pasaportë ose kartë identiteti. Sipas afateve të vendosura nga MASH-i, paraqitja e dokumenteve duhet të bëhet nga data 1 deri 15 prill 2010. Pas marrjes në dorëzim të këtyre dokumenteve, komisioni i posaçëm i shqyrtimit të tyre, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës shkollore, do të përcaktojë pikërisht mbi bazën mbi e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna që figurojnë në Dëftesë janë ekuivalente me Maturën Shtetërore. Më pas, këto të dhëna do t’i përcillen zyrtarisht edhe Agjencisë së vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe Agjencisë së Pranimit në Universitetet Publike (APRIAL). Ndërsa në rastet kur komisioni vlerëson se dokumentet shkollore nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këto nota, komisioni ia përcjell zyrtarisht Komisionit të Maturës Shtetërore të drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore përkatëse, ku shtetasi shqiptar ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2010. Komisioni i Maturës Shtetërore i drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore i përcjell këto të dhëna në AVA dhe APRIAL dhe cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët përkatës, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm. Së fundi, formularët A1-Z, të plotësuar nga këta kandidatë do të dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA dhe APRIAL, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të maturantëve, brenda datës 5 maj.

Ekuivalentimi
MASH nxjerr emrat e 167 kandidatëve që u është njohur diploma në mars

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht emrat e 167 kandidatëve, për të cilët, procesi i ekuivalentimit të diplomave të fituara jashtë vendit është kryer edhe në Shqipëri. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se pas përfundimit të procesit të njohjes së diplomës, kandidatët e përzgjedhur për muajin mars, duhet të paraqiten pranë këtij dikasteri për të tërhequr certifikatën e njohjes. Me ndryshimet e reja, të bëra nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, për procesin e njohjes së diploma ve të huaja në vend, e gjithë procedura e njohjes së diplomave dhe certifikatave përfundon brenda 45 ditëve, nga dita kur dosja për aplikim është e plotësuar me dokumentacion e kërkuar. Sipas afateve të reja, dosja e aplikantit i paraqitet Komisionit të Njohjes jo më vonë se 35 ditë nga mbërritja e saj në MASH, kur ajo është e plotë. Ndërkaq, brenda një jave nga marrja e dosjes, Komisioni i Njohjes, mund të marrë vendim sipas përcaktimeve për njohjen e diplomës, ose mund të vendosë t’ia kthejë dosjen për plotësime të nevojshme në dokumentacion. Po ashtu, aplikanti ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim te ministri i Arsimit nëse nuk është dakord me vendimin e marrë nga komisioni. Ankuesit i kthehet përgjigje brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së ankesës.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›